Eksportuesit dhe fasonët kërkojnë reagimin e menjëhershëm të qeverisë në lidhje me efektet e zhvlerësimit të euros dhe vonesat në rimbursimin e TVSH-së. Alban Zusi shprehet se gjatë 2018 nuk ka pasur rritje pagash dhe as punësime për shkak ët humbjes nga euro. Eksportuesit paralajmërojnë se do të reagojnë me të gjitha mënyrat që u lejon ligji, në rast se qeveria nuk do t’u përgjigjet.

Unioni i Eksportuesve të Shqipërisë ka kërkuar reagimin e menjëhershëm të qeverisë në lidhje me zhvlerësimin e euros dhe rimbursimin e TVSH-së. Alban Zusi u shpreh se gjatë 2018 për shkak të uljes së fitimeve nuk ka pasur asnjë rritje page apo shtim vendesh pune duke e vendosur në vështirësi ekonominë.

Alban Zusi: Të gjithë këta njerëz nuk kanë pasur rritje rroge gjatë këtij viti. Pra ne nuk po flasim për nevojat tona, ne po flasim për një ekonomi që nuk funksionin, që nuk rrit rrogat, që nuk hap vende pune.

Zusi deklaron se zhvlerësimi i euros në këtë nivel nuk vjen nga arsye ekonomike.

Alban Zusi: Për të shkaktuar një rënie kaq drastike të euros do të duheshin disa miliarda euro të shtuara në ekonomi, ndërkohë që eksportet shqiptare nuk rezultojnë të jenë shtuar me miliarda. 

Ndërkohë një tjetër problem me të cilin po përballen janë edhe vonesa e rimbursimit të TVSH-së.

Florian Zekja, Përfaqësues i Fasonëve: Nga maji i vitit të kaluar deri tani kemi vonesa në rimbursimin e TVSH.

Banka e Shqipërisë por edhe ministria e financave kanë parashikuar që euro do të vijojë të qëndrojë në nivelin e 124-125 lekë.

/Ora News.tv/