Vendi është aktualisht në epidemi gripi por me një trend në rënie. Artan Simaku, epidemiolog në Institutin e Shëndetit Publik në një lidhje telefonike për edicionin e lajmeve të orës 20:00 në Ora News tha se ka një rënie të përqindjes së pozitivitetit të mostrave të gripit.

Simaku: Vërehet një trend në rënie. Ne aktualisht jemi në epidemi, por vërehet një trend në rënie dhe një rënie e përqindjes së pozitivitetit të mostrave të gripit. Duhet thënë se gripi është një sëmundje shumë e paparashikueshme, gjithsesi kur fillon trendi në rënie nuk parashikohet të ketë rritje prapë.

I ftohti që ka mbërthyer vendin këto ditë duket se favorizon përhapjen e virusit.

Simaku: Temperaturat e ulëta fatkeqësisht e favorizojnë përhapjen. Ditën e enjte dhe të premte do të shikojmë dhe shifrat e reja, të grumbulluara nga i gjithë vendi. Gjithsesi ju informoj se është një trend në rënie.

Këshillat në këto raste janë: Më shumë kujdes për higjenën personale dhe shmangia e ambjenteve të mbipopulluara.

Simaku: Janë masat e përgjithshme të higjienës personale dhe masat e higjienës komunitare. Aktivitetet e tyre. Nëpër shkolla, kopshte, institucione parashkollore. Idea është që personat që janë të sëmure, qoftë fëmijët, qoftë të rriturit duhet të paraqiten menjëherë tek mjeku. Nuk duhet të paraqiten në institucione me temperaturë, pasi do të transportojnë sëmundjen tek të tjetër. Duhet të shmangen grumbullimet masive.

 

/Ora News.tv/