Biznesi në Shqipëri gjithmonë e më shumë i është drejtuar huamarrjes informale.  Rënia e kreditimit, në nivelin e para viteve 2013,  për biznesin në tremujorin e dytë sipas Arben Malaj tregon se biznesi  po mer borxh  në mënyrë  informale. Sipas Malaj kjo formë mbart risqe të mëdha dhe biznesi duhet të tregojë kujdes, pasi kjo mënyrë veç pasigurisë sjell dhe kosto shumë herë më të larta, ndërsa në gjykatë me kërkesën për kthim borxhi numri i çështjeve ka shkuar në 647.

Kreditimi i bizneseve vazhdon trendin rënës. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, rezulton se  ka prekur nivelin më të ulët që prej vitit 2013.

Një situatë e tillë duket se është shoqëruar me rritjen e huamarrjes në rrugë informale. 

Sipas ish-Ministrit të Financave, Arben Malaj, biznesi po plotëson nevojat për para në tregun informal dhe kjo sipas tij është e rrezikshme.

Arben Malaj: Në rastet e bankave dhe skemave të ndryshme të financimit dhe institucioneve financiare jo bankare mund ta ristrukturosh kredinë, mund të shikosh një kredi më të butë nga njëra bankë në tjetrën. Je në një treg konkurues. Ndërsa në marrëdhëniet sociale qofshin këta familjarë, shokë apo huadhënës të ndryshëm, çdo vonesë krijon një problem dhe këto probleme pastaj bëhen të pamenaxhueshme.

Malaj sugjeron që biznesi ti drejtohet sistemit bankar sepse në këtë mënyrë ata do të kenë një projekt dhe një kosto, e cila do të menaxhohet më drejtë.

Arben Malaj: Në rastin që ti e merr te një individ nuk ka asnjë analizë tjetër përveç faktit që arrihet një mirëkuptim i momentit që përbën kosto më të mëdha në të ardhmen.

Problemet tashmë janë konstatuar dhe në përballjet në gjykata.

Vetëm gjatë këtij viti, në Gjykatën e Tiranës  janë shtuar 365 padi të reja, teksa 270 të tjera janë dosje në shqyrtim më parë.

Sipas të dhënave në Gjykatë, 12 prej dosjeve vazhdojnë të shqyrtohen në shkallë të ndryshme.

Po ashtu janë 182 dosje të pranuara me kërkesën për kthim borxhi dhe 210 janë pushuar për mungesë dokumentacioni.

Gjithësesi, Banka e Shqipërisë shpreson në rritjen e kreditimit në tre mujorin e fundit të vitit.

Gjyqet për kthim borxhi

647 në total

365 të reja

270 të vjetra

12 të të rikthyera

Janë pranuar 182

Janë pushuar 210

/Ora News.tv/