131 vjet pas çeljes së shkollës së parë shqipe në Korçë, Shqipëria ka 37 mijë mësues në sistemin para universitar, që shërbejnë në 2710 shkolla në mbarë vendin. 7 marsi është dita kur reflektorët e shoqërisë drejtohen nga figura e mësuesit. Nxënës, prindër, qeveritarë dhe opozitarë gjejnë mënyrat e tyre për të treguar mirënjohjen ndaj mësuesve, që konsiderohen edhe si edukues të brezave të rinj, apo prindër të dytë të fëmijëve në klasat shkollore.

Redaksia e lajmeve e Ora News sot ka vendosur të mos transmetojë lajmet e zakonshme të një 7 marsi tipik me lule e vjersha. Gazetarët dhe korrespondentët tanë kanë takuar dhe udhëtuar më mësues Ramazanin në Selitë të madhe për afro 3 orë për të mbërritur në shkollën ku e presin 4 nxënësit e tij. Kemi bashkëbiseduar edhe me Besnikun nga malësia e Gorës në Korçë, që siç na thotë përveç 20 kilometrave në ditë takon edhe rrezikun me kafshët e egra.

Kemi udhëtuar në të njëjtin autobus nga Tirana në Lezhë me mësues Fatjonin dhe Florjanin, të cilët ndryshe nga kolegët në zonat e largëta të paktën i gëzohen komoditetit të automjetit drejt vendit të tyre të punës.

Paga mesatare e një mësuesi është 58 mijë lekë. Sic do ta ndiqni dhe në minutazhin special të këtij edicioni qendror të lajmeve në Ora News, sakrificia e mësuesve është e vështirë të shpërblehet në vlera monetare. Ata punojnë për fëmijët e tjerë shpeshherë në pamundësi për tu kujdesur për fëmijët e tyre, sepse e konsiderojnë punën e mësuesit si një mision në vazhdim për të edukuar brezat e rinj. Vlerësim dhe mirënjohje për të gjithë mësuesit, pjesa më e madhe e të cilëve punojnë në kushte të vështira, të cilat në këto 27 vjet demokraci duhet të ishin më të përafërta me ato të vendeve të tjera të zhvilluara.   

/Ora News.tv/