Për herë të parë, veprat e piktorit shqiptar Edi Hila ekspozohen në Muzeun e Artit Modern në Varshavë, si vazhdim i prezantimeve të artistëve të mënjanuar nga Evropa Lindore. Arsyeja që Muzeu i Artit Modern në Varshavë i drejtohet veprës së Hilës është se artisti nuk pranoi që të mashtrohej nga gjurmët e transformimit.

Edi Hila prezanton për herë të parë krijimtarinë e tij të pas viteve ’90 në Muzeun e Artit Modern në Varshavë.

 Nëpërmjet ekspozitës retrospektive me titullin “Piktori i transformimit” shfaqet Shqipëria siç ishte dhe Shqipëria që pak ndryshoi.

Hila e përcjell realitetin e transformimit shoqëror me disa cikle ku për t’u veçuar janë tablotë “Paradoksi”, “Marrëdhëniet”, “Kërcënimi”, “Objekte anash rrugës” deri tek krijimet më të fundit “Bulevardi i Dëshmorëve të Kombit”, “Një tendë në çatinë e makinës sime”.

Kuratorët e ekspozitës Kathrin Romberg, Erzen Shkololli dhe Joana Mitkovska e vlerësojnë këtë lloj pikture për realizmin dhe vëzhgimin e kujdesshëm të detajit, të cilin Hila e eksploron për të transmetuar të vërtetën psikologjike të fenomeneve.

Ky distilim të vërtetash e ka shtyrë artistin drejt klasicizmit dhe magjepsjes prej burimeve të pikturës së Rilindjes.

Sikur modernizmi të jetë zhdukur nga fusha e tij e interesit dhe dilemat e modernitetit të mos ekzistojnë më.

Arsyeja që Muzeu i Artit Modern në Varshavë i drejtohet veprës së Hilës është se artisti nuk pranoi që të mashtrohej nga gjurmët e transformimit, duke e cilësuar piktorin shqiptar “mjeshtër të mënjanuar të Evropës Lindore”.

Kjo ekspozitë personale është vazhdim i prezantimeve që MOMA e Varshavës u ka kushtuar artistëve me fat të ngjashëm në Evropën Lindore si Jon Grigoresku, Július Koler dhe Mária Bartuzhova.

Ekspozita qëndron hapur nga 2 marsi deri më 6 maj 2018 dhe vjen menjëherë pas prezantimit që Hila pati vitin e kaluar në “Dokumentën e 14-të”, një nga manifestimet më të rëndësishme të artit bashkëkohor në nivel botëror.

Artisti shqiptar ekspozoi në Kasel dhe Athinë ciklin e vizatimeve të pularisë dhe një pjesë të punëve të sotme.

Vepra e Hilës po gëzon më në fund atë sukses që iu mohua për një kohë të gjatë në komunizëm.

/Ora News.tv/