Shtatori do të jetë muaj i drejtësisë, pasi pritet që të ngrihen organet e reja si dhe funksionaliteti i sistemit gjyqësor. Me anë të një video me ilustrime, Ambasada amerikane në Tiranës tregon se së shpejti, Shqipëria do të ketë një gjykatë Kushtetuese me gjyqtarë të kualifikuar, të paanshëm dhe apolitikë.

Pak ditë më parë Këshilli i Emërimeve në Drejtësi intervistoi 6 kandidatët e parë që synojnë 4 vende në Kushtetuese, ndërsa brenda 10 ditëve pas vlerësimit dhe pikëzimit, KED do t’u nisë listën me rënditjen Parlamentit dhe Presidentit.

Ambasada amerikane tregon se si me reformën në drejtësi ndryshon përzgjedhja dhe kualifikimi i anëtarëve të Kushtetueses.

Pas vlerësimit të KED do të jetë Meta dhe Ruçi që do të zgjedhin nga renditja, por ndryshe nga sistemi i vjetër që Kreu i Shtetit duhet të binte dakord me Kuvendin për të emëruar një anëtar, tashmë me reformën e re kjo procedurë ka rënë.

Sipas saj, qëndrimet politike nuk do të ndikojnë më në Gjykatë Kushtetuese pasi përzgjedhja do të bëhet me rotacion mes Parlamentit, presidentit dhe Gjykatës së Lartë.

Ndërkohë që kjo e fundit duhet të plotësojë anëtarët e Kushtetueses, për funksionalitetin e saj do të presë vjeshtën.

Ndër të tjera Ambasada nënvizon se Presidenti dhe Parlamenti nuk mund ta bllokojnë më këtë Gjykatë, pasi me sistemin e ri, edhe nësë këto dy institucione nuk zgjedhin, atëherë atomatikisht zgjidhet kandidati i rënditur më lart nga lista e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Reforma në drejtësi, thekson Ambasada, parandalon boshllëqet për një kohë të gjatë në Gjykatën Kushtetuese, si dhe nuk lejon që një person të ketë më tepër pushtet në procesin e përzgjedhjes.

Nga kërkesa për shkarkimin e Presidentit, votimet e 30 Qershorit si dhe ligji për Teatrin presin ngritjen e Kushtetueses për t’i dhënë fund qëndrimeve të kundërta politikës.

/Ora News.tv/