Kur dukej se gjithçka kishte përfunduar mes tyre, e ardhmja e Juan Mata ka marrë një kthesë të pabesueshme. Sulmuesi spanjoll ka vendosur që të mos ndryshojë fanellë në sezonin e ri, duke rinovuar me Manchester United deri në vitin 2021.

Lajmi bëhet i ditur nga mediat britanike, që zbulojnë se "djajtë e kuq" e kanë bindur 31 vjeçarin për të qëndruar edhe për 2 sezone në "Old Trafford". Mata u transferua te Manchester United nga Chelsea në vitin 2014.

Me fanellën e "djajve të kuq", spanjolli ka luajtur 218 takime, duke shënuar 34 gola. Realizime që i kanë shërbyer Manchester United për të fituar trofe të rëndësishëm, si FA Cup, Kupën EFL, Community Shielf dhe një Europa League.

Mungesa e një kontrate me skuadrën e United, e kishte kthyer Matën në emrin më të lakuar në merkato. 31 vjeçari kishte ngjallur interesin e skuadrave si Barcelona, Inter, Juventus apo dhe Bayern Munich, por në fund vendosi që të qëndroj aty ku edhe e mbylli sezonin e shkuar, në "Old Trafford".

/Ora News.tv/