Futbolli kosovar ka pësuar rritje të vazhdueshme në vitet e fundit, duke arritur të jetë pjesë edhe e eliminatoreve të kompeticioneve Europiane.

Kjo ecuri ka tërhequr vëmendjen e investitorëve të huaj, që kanë nisur kontaktet me krerët më të lartë të futbollit "Dardan". Një prej skuadrave që ka tërhequr shumë vemendjen e investitorëve të huaj është Llapi. Skuadra kosovare është vënë në shënjestrën e investitorëve gjerman, të cilët kanë ndjekur nga afër ndeshjen mes Llapit dhe Gjilanit.

Holger Krebs dhe aksioneri nga Kosova që vepron në Gjermani, Albert Hashimi ishin prezent në shkallët e stadiumit të Podujevës, e fituar nga Llapi me rezultatin 2-1. Pas ndeshjes, gjermani Krebs është shprehur i kënaqur, teksa ka shtuar se ky 3 pikësh merr më shumë vlera pas humbjes së Feronikelit.

“Kontaktet e para me Llapin kanë ardhur përmes Albert Hashimit. Kjo është hera e parë që isha këtu. Sa i përket lojës jam shumë i kënaqur. Ishte atmosferë e mirë në tribunë. Ne po e marrim fitoren me vete në Gjermani dhe kjo fitore është bërë edhe më e madhe pas humbjes së Feronikelit. Mendoj se Llapi me punë serioze mund të përparon shumë”, ka deklaruar Krebs për Sportin në KTV.

Sa i përket kontratës me KF Llapin, Krebs tha:

“Do të ketë nevojë që të bisedojmë për një koncept të klubit. Fokusi ynë është që të rrisim nivelin e organizimit dhe të krijojmë kushte për grupmoshat e reja. Biseda që kemi bërë është shumë pozitive dhe besoj që do ta gjejmë një rrugë të përbashkët. Do të sqarohen të gjitha gjërat dhe do ta nënshkruajmë kontratën”, ka përfunduar Krebs.

Rreth kësaj çështje ka folur edhe aksioneri kryesor, Beqir Batatina, i cili ka deklaruar se Llapi ka pasur shumë oferta, por që kanë vendosur për ata që i njohin më mirë dhe për këtë arsye do të jenë dy gjermanë dhe një shqiptar.

Këta donatorë do të na ndihmojnë në anën financiare, por do të na ndihmojnë edhe në shitjen e futbollistëve në klubet evropiane”, ka thanë Batatina.

KF Llapi me fitoren e fundit ndaj Gjilanit ka rritur gjasat për titull kampion, pas humbjes së liderit të Superligës, KF Feronikelit ndaj Ferizajt. Llapi renditet në pozitën e tretë me 60 pikë, vetëm dy pikë më pak se “Nikli” dhe Prishtina që mbajnë vendet e para të tabelës.

/Ora News.tv/