Prej muajsh qytetarë të shumtë i janë drejtuar Komisionit të Pavarur të Kualifikimit me ankesa ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve për vendimet e dhëna prej tyre ndër vite. Janë plot 1017 denoncime për 7 muaj të bera në rrugë elektronike apo edhe dhe dorazi të cilat jane marrë ne konsiderate nga komisioni. Ky institucion përmes një përgjigje për ora nevvs, inkurajon qytetarët që të vazhdojnë denoncimet duke i mbështetur ato në foto, pamje filmike apo dokumentacion ndërsa thekson se nuk ka për objekt vendimet gjyqësore por punën e gjyqtarëve e prokurorëve.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit është kthyer në një tjetër derë ku qytetarë të shumtë të pakënaqur ankohen ndaj vendimeve të gjyqtarëve apo prokurorëve ndër vite.

Një numër prej 1017 denocimesh kanë mbërritur përgjatë 7 muajve në këtë institucion, i cili tashmë është duke kaluar në filtër afro 800 gjyqtarë e prokuror në të gjithë Shqipërinë në kuadër të vetingut.

Shifra është deklaruar zyrtarisht nga KPK, në përgjigje të  interesimit të televizionit Ora News. Sipas këtij institucioni numri më i lartë i ankesave ka qënë ndaj gjyqtarëve dhe më të pakët në numur janë ankesat ndaj prokurorëve.

Denoncimet e kanë arritur kulmin e tyre në muajin dhjetor ku janë depozituar 321 të tilla ndërsa më të pakët kanë qënë në tetor, kohë kur nisi të funksionojë edhe KPK, ku janë regjistruar vetëm dy.

Në morinë e shumtë të denoncimeve kryesojnë ato ndaj vendimeve gjyqësore por nuk mungojnë edhe denoncime që sipas KPK kanë qënë të vlefshme për procesin e rivlerësimit. Po ashtu, çdo denoncim i bashkëlidhet dosjes së subjektit të rivlerësimit të cilit itakon dhe është trupa gjykuese që, në zbatim të ligjit, shqyrton dhe vendos për të.

Në përgjigjen për Ora News, KPK u bën apel qytetarëve që çdo informacion të vlefshëm që mund të kenë fotografi, dokumente e të dhëna të tjera, ta ndajnë me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit dhe të kontribuojnë në procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve duke u rikujtuar edhe nje herë misionin e këtij institucioni, që nuk është të rishikojë vendimet e gjykatave por të mbledhë të dhëna, prova dhe fakte konkrete lidhur me veprime korruptive apo shkelje ligjore të subjekteve të rivlerësimit.

/Ora News.tv/