Klandestinë përmes Shqipërisë, kapen 11 emigrantë në Lezhë dhe Korçë

Klandestinë përmes Shqipërisë, kapen 11 emigrantë

11 emigrantë klandestinë nga Lindja e Mesme janë kapur në 24 orët e fundit në Korçë e Lezhë në tentativë për të kaluar ilegalisht përmes Shqipërisë në rrugën drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Policia e Lezhës, thotë se pas një pune hetimore arriti të godasë një tentativë për ndihmë të paligjshme në këtë drejtim duke vënë në pranga dy persona ndërsa ka zbuluar në një tunel në zonën e "Ranës së Hedhun" që dyshohet se përdorej si bazë e strehimit të klandestinëve.

Të arrestuarit janë Besnik Gjoka, 46 vjeç, banues në Ishull Shëngjin dhe Valentino Ndoci, 48 vjeç, banues në Pukë.

Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dy të arrestuarit do të ndihmonin kundrejt pagesës 7 klandestinë në rrugën drejt vendeve të BE.

Emigrantët transportohen me makina deri në kufirin e gjelbër me Malin e Zi, nga ku ata tentojnë të kalojnë ilegalisht drejt vendit fqinj, për të vijuar me tej drejt Bosnje Hercegovinës e Kroacisë dhe më pas drejt vendeve të Unionit.

Ndërkohë 4 klandestinë u kapën mëngjesin e sotëm nga Policia Kufitare e Korçës në kufirin e gjelbër me Greqinë.

3 shtetas sirianë dhe 1 palestinez u ndaluan pranë vendit të quajtur piramida nr 3 në kufirin e gjelbër,  ndërsa po tentonin të kalonin kufirin në këmbë.

Pas procedurave të para në Drejtorinë e Policisë së Kufirit dhe Migracionit në Korçë ata u nisën drejt qendrës së azilkërkuesve në Tiranë.

Një javë më parë Policia kufitare e Korçës ndaloi 6 emigrantë që kishin hyrë në mëyrë të paligjshme po nga Greqia.

Autoritet shqiptare kanë shtuar ndjeshëm masat e sigurisë në kufirin e gjelbër dhe pikat kufirtare me Greqinë, pas përfshirjes së vendit në atë që po cilësohet si rruga e re e klandestinëve drejt Vendeve të Bashkimit Europian.



EMISIONET