Katedralja e Notrë Dam-it mbajti meshën e parë simbolike dy muaj pasi zjarri shkrumboi pjesërisht thesarin gotik të Francës.

Shërbesa e kryesuar nga kryepeshkopi Mishel Opëti u ndoq nga rreth 30 besimtarë dhe priftërinj, të gjithë të pajisur me helmeta mbrojtëse.

Ritet u mbajtën shkurtimisht në një cep të kapelës ku më parë ruhej kurora me gjemba prej floriri e Jezu Krishtit, e cila i shpëtoi flakëve.

Në një deklaratë pas meshës, kryepeshkopi Opëti nuk e fshehu habinë për rrethanat e shërbesës dhe që pjesëmarrësve iu desh të vinin kaska për të hyrë brenda.

Megjithatë ai shtoi se po punohet për të rritur sigurinë e ndërtesës që ka pritur mbi 14 milionë persona çdo vit, për arsye se struktura e katedrales 850-vjeçare është ende e paqëndrueshme.

Miliarderë, biznesmenë dhe qytetarë të thjeshtë nga mbarë bota kanë premtuar rreth 1 miliardë dollarë donacione për rinovimin e kryekishës, por zyrtarisht është dorëzuar më pak se 10 për qind e shumës.

Presidenti francez ka premtuar që ta rikthejë katedralen si më parë brenda një afati 5-vjeçar.

Zjarri i 15 prillit shkatërroi çatinë e katedrales dhe majën e lartë të godinës për shkaqe që ende po hetohen.

Mendohet se flakët nisën si pasojë e qarkut të shkurtër në kambanat elektrike të katedrales, të cilat gabimisht nuk ishte inspektuar në kohë nga personeli i sigurisë.

/Ora News.tv/