Deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, nuk është ndjerë komod teksa i ftuar në emisionin "Debati në Channel One",  është pyetur nga gazetari Roland Qafoku se a duhet të dorëhiqet kryetari i PD-së  nëse humb zgjedhjet lokale të 2019.

Alibeaj vuri theksin tek plotësimi i kushteve për të garantuar një garë të barabartë mes palëve, ku të përballen formacione politike dhe jo krahë të armatosur.

Qafoku: Nëse PD humbet zgjedhjet lokale a duhet të largohet zoti Basha si kryetar i kësaj partie?

Alibeaj: Nëse ka zgjedhje...

Qafoku: Si nëse ka zgjedhje? Nuk do merrni pjesë në zgjedhje?

Alibeaj: Nëse ka proces zgjedhor. Ne këtë jemi duke kërkuar ... E para, të ketë zgjedhje. Zgjedhje me Edi Ramën në aleancë me krimin, zero! Ne po bëjmë aksionin tonë opozitar për të shkëputur pushtetin nga krimi. Zgjedhje me këtë lloj pushteti, me këtë lloj sistemi, me këtë lloj krimi nuk ka!

Në një anë ke një grup seksioni të armatosur, nga ana tjetër ke kandidatin e PD, këto janë zgjedhje? Sa kohë të kesh një situatë të tillë nuk ka sens pyetja. Ajo që kërkojmë ne është minimalisht të vendosim kushte të barabarta që të ketë formacione politike dhe jo krahë të armatosur.


/Ora News.tv/