“Droga dëmtoi ekonominë”, PD largohet nga Komisioni

“Droga dëmtoi ekonominë”, PD largohet nga Komisioni

Debati për krimalitetin në vend dhe situatën e  drogës ka zbritur dhe në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë.

Para se të braktiste diskutimin për realizimin e buxhetit të vitit të kaluar, nënkryetarja e Komisionit dhe njëkohësisht numri dy i Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, tha se e vetmja ekonomi që ka pësuar rritje gjatë 2016 ka qenë ajo e krimit dhe drogës.

Tabaku akuzoi se si pasojë e kësaj klime të krijuar, investitorët e huaj ose janë larguar ose nuk pranojnë që të vijnë në Shqipëri, çka shkaktoi debate me kryetarin e Komisionit Erjon Braçe.

Tabaku: Unë do të kisha dashur sot shumë që të flisnim për normalitetin dhe të diskutonim për normalitetin por kur diskutojmë për një ekonomi të kriminalizuar që siç thonë partnerët ndërkombëtarë ka një pjesë të ekonomisë, rreth 5 miliard euro, që është jashtë ekonomisë, që lidhet vetëm me drogën, sigurisht që shqetësimi nuk mund të lidhet vetëm me treguesit financiarë që paraqet Ministria e Financave dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Braçe: Të shpallësh ekonominë kombëtare si ekonomi kriminale natyrisht që është shumë e rëndë dhe nuk është e rëndë për agallarët e ekonomisë si puna e ca-ve që vinë këtu por është shumë e rëndë për 1 043.000 punëtorë që janë të përfshirë në këtë ekonomi. Janë punëtorë legal.

Në mbyllje të këtij debati deputetët e PD-së lanë Komisionin por ndërkohë nuk bënë të njëjtën gjë deputetët e partisë tjetër në opozitë, LSI, me të cilët PD është afruar shumë ditët e fundit, sidomos me skandalin e dosjes Habilaj.

Më herët, kreu i KLSH-së gjatë raportimit për auditimet e bëra gjatë 2016 ngriti si shqetësim të madh rritjen e borxhit tatimor, i cili ka kaluar shifrën prej 46 miliard lekësh.

Leskaj: Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve gjatë 2016 vlera e borxhit është rritur për shumën 46.6 miliard lekë ose 46.5% të gjendjes së borxhit në fillim të 2016.

KLSH deklaroi me shqetësim disa ditë më parë se dëmi i shkaktuar në buxhet, ku prokurimet, menaxhimi i pasurive shtetërore dhe doganat, kapnin vlerën e 2.5 miliard eurove për periudhën 2014-2016, nga të cilat vetëm 2016 llogaritet të ketë qenë 149 milion euro.

/Oranews.tv/

EMISIONET