Kush ikën dhe kush vjen? Drejtuesit e artit pas mandatit të dytë qeverisës

Kush ikën dhe kush vjen? Drejtuesit e artit pas mandatit të dytë

Kreu i Galerisë Kombëtare të Arteve sapo është ndërruar. Vendin e Artan  Shabanit e zë Erzen Shkololli nga Kosova, i cili vjen në këtë detyrë me konkursin që shpalli Ministria e Kulturës dy muaj më parë.

Shkololli, kurator i pavarur ishte në garë me tre kandidatë artistë. Pas vendimit të qeverisë ai është shprehur se vizioni i tij për 4 vitet e ardhshëm është shndërrimi i Galerisë Kombëtare në “qendër graviteti si për prurjet bashkëkohore në art ashtu edhe për talentin vendor që viteve të fundit ka qene përfaqësuesi më i mirë dhe më i denjë i vlerave kombëtare”.

Një vizion i tillë ambicioz nuk mund të vihet në jetë pa mbështetjen e qeverisë dhe ministrisë së Kulturës, diçka që i ka munguar Galerisë Kombëtare në 4 vitet e shkuara. Do duhej një shtim i buxhetit për projektet e artit dhe një fond i veçantë për rikonstruksionin e objektit.

Artistë dhe kuratorë vendas kanë shprehur skepticizmin e tyre për zgjedhjen e Shkolollit.

Gentian Shkurti, artisti i pavarur: Mund të ndodhi ajo që më shumë se sa promovimi i artit shqiptar, do ndodhi promovimi i vendit të vet",

Alban Ajdinaj, studiues: "Nuk e shoh Shkolollin si një zgjedhje të mirë"

Mbetet për t'u parë sfida e artistin nga Kosova në një administratë të Shqipërisë si përvoja e parë e kësaj natyre.

Mandat i dytë i qeverisë socialiste shënon fundin e punës për disa drejtues të tjerë të artit e kulturës dhe zgjedhjen e të rinjve.

Teatri Kombëtar dhe ai Eksperimental janë në prag të këtij procesi që bazohet në ligjin “Për Artin dhe Kulturën” i ndryshuar në mandatin e parë të Mirela Kumbaros, ministre Kulture.

Ligji krijoi premisën për një proces demokratik, por në praktikë rezultoi problematik. Sepse një pjesë e mirë e drejtorëve të artit pamor e skenik ishin zgjedhje arbitrare si në rastin e Galerisë Kombëtare, kur Artan Shabani u zgjodh pa konkurs, ose rasti i Ilir Kernit, i cili u thirr nga jashtë për të drejtuar Teatrin e Operës dhe Baletit, detyrë që e braktisi pas 2 vitesh.

Hervin Çuli dhe Kiço Londo do duhet ta lënë detyrën ose të rikandidojnë me shpalljen e konkursit në pranverë.

E njëjta gjë edhe për Qendrën Kombëtare të Kinematografisë. Ndërsa Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit e ka drejtuesen e re, Iris Elezi e zgjedhur me konkurs përballë vetëm 1 kandidati.

Muzeu Historik Kombëtar vazhdon të drejtohet prej 1 vit nga një drejtor i komanduar.

Kjo atmosferë e papërcaktuar reflektohet në axhendën e aktiviteteve, në kalendarët e varfër artistikë, në ngrirjen e projekteve afatgjata. Shtoji kësaj gjendjen e skenave në rikonstruksion. Premtimet e të majtës për një reformë në institucionet e artit dhe kulturës kanë shënuar rikthimin në një stad tranzicioni kulturor.

EMISIONET