Sameer Soleymani, një djalë 10-vjeçar nga Afganistani, ëndërronte për Zvicrën, kur varka prej gome ku ai dhe 65 të tjerë ndodheshin, u përplas në Greqi. Në bord shpërtheu paniku. Çaste më vonë, ai u nxor pa ndjenja.

Një javë pasi Sameer u shpall i vdekur, mamaja e tij zemërthyer u desh të kapërdinte lotët, ndërsa tregonte se si i ishte lutur të tjerëve në bord për të ndihmuar djalin e saj, por pa dobi.

Pohon se ajo dhe bashkëshorti i saj po vuajnë, të bllokuar në ishullin e Lesbos, pa asnjë ide si mund të largohen.

Mamaja e Sameer: Të gjithë po përpiqeshin të shpëtonin veten. Edhe pse unë i kërkova, ju lutem merrni djalin tim të parin, askush nuk më erdhi në ndihmë. Në fund, e ngrita me vetë duart e mia, dy të tjerë u përpoqën të më ndihmonin, njerëzit po i ngjiteshin shkallëve nga një krah i varkës, unë e ngrita në krahun tjetër dhe ai rrëshqiti e ra në ujë. Nuk do ta harroj kurrë dhimbjen, im bir ra në ujë. E kapa nga bluza dhe e ngrita. I thashë policisë ta merrnin djalin tim, të më ndihmonin – por ata më kërkuan të ngjitesha. Edhe pse jemi këtu, kam një dhimbje të madhe nëgjoks. Me vështirësi të madhe po duroj. Kudo që shkoj, shoh djalin tim. Po vuaj vërtet këtu.

Numri i refugjatëve dhe emigrantëve të ardhur në Greqi është rritur ndjeshëm, 20 muaj pasi Bashkimi Europian dhe Turqia arritën marrëveshjen për të mbyllur portën kryesore të Europës përmes Greqisë, për të frenuar valën e sirianëve dhe të tjerëve që arratiseshin drejt perëndimit.

Edhe pse marrëveshja është vlerësuar si sukses nga arkitektët e saj europianë, rritja e numrit të emigrantëve ekspozon mangësitë e akordit.

Në Lesbos, mbi 8.500 azilkërkues janë bllokuar në godina të afta për të strehuar më pak se 3.000 persona. Pritja për azil apo dëbim nxit trazira.

Aq plotë është Moria, një ish-bazë ushtarake e kthyer në një pikë kyçe, një qendër në dukje pritjeje për emigrantët që mbërrijnë, ku qindra persona janë vendsour pranë një ullishteje fqinje.

Ata flenë përqark pemëve, trungjet e të cilave janë nxirë nga zjarret qëata kanë hapur për t’u ngrohur.

Pako gjysmë të ngrëna të ushqimeve thuajse të pagatuara, ndotin shpatet me baltë ku ngrihen çadrat e tyre verore. Nuk ka dushe ose tualete dhe fëmijët luajnë mes mbeturinave. 23-vjeçari sirian Anas Bakour, i cili e ndan një tendë me 2 burra të tjerë, thotë se kafshët bëjnë një jetë më të mirë se ai.

Bashar Wakah, një tjetër sirian, gruaja e të cilit është 9-muajshe shtatzënë, e krahasoi jetën e tij me klasiken e Rudyard Kipling, “Libri i Xhunglës”.

Bashar Wakah: Gruaja ime do të lindë në këtë pyll, kështu që ndihem sikur djali im do të jetë Mogli, si në përrallën e vjetër. Në këtë pyll do të ketë një Mogli të vërtetë.

Aria Danika, një koordinatore në terren për Doktorët pa Kufinj në Lesbos, deklaroi se agjensia e saj është e shqetësuar se politikëbërësit e Bashkimit Europian “do të bëjnë çmos që të mbrohet marrëveshja BE-Turqi, edhe në kurriz të jetëve njerëzore”.

Banorët e ishullit gjithashtu po zemërohen dhe gjendja është acaruar. Në një fshat disa kilometra larg kampit, vendasit ankohen për kriminalitetin në rritje – nga vjedhjet e vogla të kafshëve të fermës dhe portokajve, deri tek grabitjet.

Nikolaos Hadziyannis: Një ditë më parë, emigrantët vodhën dy dele. Është një situatë e tmerrshme dhe ne nuk kemi ku të shkojmë. Jemi të moshuar dhe nuk dimë ç’të bëjmë. Kur vjen ora 9 e mbrëmjes, ne mbyllemi në shtëpi. Emigrantët janë të rinj.

Thodoros Bouchlis: Njerëzit janë larguar, ata kanë frikë. Sidomos baballarët me vajza, ata kanë frikë për to, prandaj i largojnë gratë që këtu. Edhe unë, nuk e lejoj gruan time të dalë natën.

Kryebashkiaku i ishullit, Spyros Galinos, ka bërë thirrje për protesta dhe greva kundër politikave të BE-së.

Spyros Galinos: Nuk duam që ky ishull i solidaritetit dhe humanitetit të kthehet në një burg. Sot këtu është krijuar një burg, me kushte të tmerrshme.

Pasi bie nata, rreziqet në kamp shtohen. Gratë thonë se kanë frikë të largohen nga tendat pas muzgut. 22-vjeçarja Shahed Naji, një grua nga Iraku e cila mbërriti në Moria 5 muaj më parë, thotë se gratë në kamp presin të sulmohen “në çdo moment”.

Shahed Naji: Çdo vajzë në këtë kamp pret që në çdo moment të sulmohet. Ato nuk dalin pas orës 10 të mbrëmjes dhe situata është shumë e keqe, më e keqe se ç’mund të imagjinohet.

Qeveria u përpoq të lehtësonte situatën në ishull duke zhvendosur disa qindra persona drejt Greqisë, por thotë se akordi BE-Turqi ndalon largimin e azilkërkuesve nga ishulli derisa të përpunohen aplikimet e tyre, diçka që mund të kërkojë muaj të tërë.

Rreth 4.000 persona, kryesisht sirianë, irakenë dhe afganë, mbërritën në Greqi në tetor, dyfishi i shifrës krahsuar me një vit më parë. Rreth 3.100 mbërritën në nëntor, nga 1.990 vitin e kaluar.

Edhe pse të braktisësh atdheun nuk është aspak e lehtë, për këta njerëz duket të jetë e vetmja zgjidhje. Vetëm një fjalë e tyre përcjell histori të trishta. Si ajo e Mohammad Firuz.

Mohammad Firuz,emigrant nga Afganistani: Mendoj se kam ardhur në parajsë. Nuk e njoh Athinën, por mendoj se më pëlqen kjo. Erdha në parajsë nga ferri.

Janë mëse 161.000 emigrantë të cilët mbërritën në Europë gjatë këtij viti përmes rrugëve detare. Një shifër që, krahasuar me një vit më parë, mbetet relativisht e ulët: ishin 362.753 emigrantë që në 2016 zbarkuan në Europë përmes detit.

Sipas të dhënave nga Agjensia e Kombeve të Bashkuara për Emigracionin, mëse 75% e këtyre emigrantëve kanë mbërritur në Itali, ndërkohë që pjesa tjetër është ndarë midis Greqisë, Qipros dhe Spanjës.

Por teksa janë me mijëra ata që kanë mbërritur në kontinentin europian, janë me mijëra edhe ata që kanë humbur jetën duke ndërmarrë udhëtimin e rrezikshëm.

Gennari Giudetti, punonjës i OJQ Seawatch: Gjatë rrugës për të shpëtuar anijen e gomës, ne pamë shumë trupa të pajetë që pluskonin në ujë, të mbytur. Kishte shumë njerëz në ujë që kërkonin ndihmë, prandaj i lamë trupat e pajetë në ujë dhe shkuam me shpejtësi tek ata, por gjatë rrugës pashë trupin e një fëmije, kaq i vogël, 2 vjeç e 7 muaj. Ai ishte aq i vogël dhe pranë tij ishte e ëma. Ajo po qante dhe ishte shumë e trishtë. E nxora nga uji trupin e pajetë të fëmijës dhe të nënës.

Organizata joqeveritare gjermane Seawatch është vetëm një nga organizatat që veprojnë në ujërat e përbashkët mes Libisë dhe Italisë. Të tilla tregime janë një realitet i trishtë por tashmë thuajse i zakonshëm, teksa të paktën 3.080 persona kanë humbur jetën në ujërat e Mesdheut, duke u përpjekur të mbërrijnë në kontinentin e premtuar.

Ajo çka bie në sy është raporti i atyre që ndërmarrin këtë udhëtim: 68.6% e emigrantëve janë meshkuj, një përqindje ekstremisht e lartë krahasuar me 12.8% gra emigrante dhe 18.6% fëmijë.

/Ora News.tv/