Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, tha se kalimi i dosjes "184" në Prokurorinë e Dibrës është praktikisht mënyra për varrosjen e hetimeve për vjedhjen e zgjedhjeve.Në një deklaratë për mediat nga selia e PD-së, Bardhi tha se përsa kohë Edi Rama është në Qeveri, në Shqipëri nuk ka për të patur kurrë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Kalimi i dosjes "184" në Prokurorinë e Dibrës, për Partinë Demokratike është  varrosja e hetimeve për vjedhjen e zgjedhjeve.

Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi, tha se duke marrë në mbrojtje organizatën kriminale të vjedhjes së zgjedhjeve  provohet se përsa kohë Edi Rama është në Qeveri, në Shqipëri nuk ka për të patur kurrë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Sekretari demokrat thotë se mbyllja e dosjes "184" duke e varrosur atë në Dibër, nuk ka për ta shpëtuar Edi Ramën nga përgjegjësia e tij direkte për vjedhjen e zgjedhjeve.


Deklarata e Gazment Bardhit

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka pushuar së ekzistuari si e tillë dhe me urdhër të Edi Ramës, është shndërruar në një prokurori private që nuk ndëshkon krimin e vjedhjes së zgjedhjeve, por e mbron atë. 

Sot, media zbuloi vendimin skandaloz për të varrosur dosjen 184 të vjedhjes së zgjedhjeve në Dibër.

Pasi bllokoi për 3 vjet hetimin e dosjes 184, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka hequr dorë nga hetimi i saj, duke vendosur në fshehtësi moskompetencën.

Pasi u dështoi plani i mbylljes së hetimeve në heshtje dhe pa transparencë, kalimi i dosjes në Prokurorinë e Dibrës është praktikisht mënyra për varrosjen e hetimeve për vjedhjen e zgjedhjeve.

Publikimi i përgjimeve nga gazeta prestigjoze gjermane BILD u faktoi shqiptarëve se në vjedhjen e zgjedhjeve në Dibër, partia në pushtet kishte vepruar si një organizatë e mirëfilltë kriminale.

Shqiptarët dëgjuan më zë sesi në krye të organizatës kriminale të vjedhjes së zgjedhjeve ishte personalisht Edi Rama.

Heqja dorë nga hetimi prej Prokurorisë së Krimeve të Rënda është skenari që i siguron paprekshmëri Edi Ramës, Damian Gjiknurit, Pjerin Nderut, Ulsi Manjës, Arben Keshit, Dionis Imerajt, Valbona Sakos dhe të gjithë bandës së partisë në pushtet, të kapur në flagrancë me përgjime të ligjshme të vetë prokurorisë.

Heqja dorë nga hetimi dhe kalimi i dosjes në Prokurorinë e Dibrës, me urgjencë dhe në fshehtësi, në prag të ngritjes së SPAKU-t, është qartazi shmangie e kalimit të kësaj dosje tek SPAK-u.

Heqja dorë nga hetimi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda është provë sesi hajdutët e zgjedhjeve nuk ndëshkohen, por mbrohen nga prokuroria e kontrolluar tërësisht nga Edi Rama.

 Duke marrë në mbrojtje organizatën kriminale të vjedhjes së zgjedhjeve në Dibër, njëlloj siç po merren në mbrojtje edhe bandat e vjedhjes së zgjedhjeve në Durrës, Lezhë, Tiranë dhe Elbasan, provohet se përsa kohë Edi Rama është në Qeveri, në Shqipëri nuk ka për të patur kurrë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

 Mbyllja e dosjes 184 duke e varrosur atë në Dibër, larg vëmendjes publike, nuk ka për ta shpëtuar Edi Ramën nga përgjegjësia e tij direkte për vjedhjen e zgjedhjeve. Edi Rama mund të ketë hequr qafe për pak kohë SPAK-un, por ai nuk mund të heqë dot qafe shqiptarët, shumica e të cilëve kërkojnë largimin e tij.


/Ora News.tv/