"Dorëzohet" Dallku, i jep fund karrierës pas 535 ndeshjesh

"Dorëzohet" Dallku, i jep fund karrierës pas 535 ndeshjesh

Ish-futbollisti i kombëtares shqiptare, Armend Dallku ka vendosur t'i japë fund karrierës pas më shumë se 535 takimesh.

36 vjeçari e ka zbuluar sot vendimin e tij për të varur këpucët mbi gozhdë, teksa ka falenderuar tifozët, shokët dhe drejtuesit e skuadrave ku është aktivizuar për ndihmesën dhe mbështetjen që i kanë dhënë gjatë këtyreve viteve karrierë.

“Kur isha kthyer nga Ukraina në Kosovë më 2016, nuk isha i vendosur se do të vazhdoja me futboll, por së bashku me Debatikun pas bisedave me kryetarin Ejupi, pata marr vendim që t’i ndihmoja për një vit klubit që të rikthente titullin pas disa vitesh mungesë. Nuk e arritëm vitin e parë. E tentuam edhe vitin e dytë. E provuam edhe vitin e tretë dhe në dy vite rresht titullin e humbëm në ndeshjen e fundit. Dhe, kjo personalisht për mua do të jetë peng i madh në karrierën time, normalisht edhe për klubin, sepse me të vërtet, siç thuhet, kam provuat të jap atomin e fundit, si në aspektin moral, organizativ, duke tentuar të mbaj ekipin në dispozicion, sepse isha edhe kapiten i ekipit. E ndoshta ndonjëherë, si në stërvitje, apo ndeshje, toni im ishte më i lartë kundër iks-lojtarëve. Mirëpo, duke u nisur që në jetë jam maksimalist kërkues, duke u nisur nga vetja e familja, gjithmonë kërkoj më të mirën, e që shpesh, fatkeqësisht, u kuptua që unë u bërtas futbollistëve duke e menduar se e bëja edhe me vetëdije të plotë apo dashakeqësi. Por, parimisht, gjithmonë më i mirë është ai që të bërtet, sesa ai që gjithmonë ta bënë rrafsh. Pra, e vërteta është që gjithmonë tendenca ka qenë për t’u përmirësuar, për të arritur sukses maksimal, duke u nisur nga vetja dhe nga klubi, sepse Prishtina dihet që gjithmonë e kërkon vetëm maksimumin”.

“Dua që t’i falënderoj të gjithë në klub, bashkëlojtarët, të gjithë trajnerët nga fillimi e deri te udhëheqja e klubit e posaçërisht punëtorët e klubit që gjithmonë kanë qëndruar afër lojtarëve në problemet e ndryshme e që kanë qenë të shumta e të mëdha e që publiku nuk i ka ditur dhe si çdo klub tjetër i kemi mbajtur larg syve dhe kjo qenë ndër meritat kryesore të brendësisë së një klubi”.

“I falënderoj t’i gjithë bashkëlojtarët dhe Armendi u kërkon falje nëse ndonjëri ndonjëherë është prekur nga unë, e potencoj, gjithmonë qëllimi im ka qenë për të mirë, për t’u përmirësuar që të mësohen me atë profesionalizmin sportiv e që besoj shumë se gjithmonë e kam nisur dhe dëshmuar nga vetja ime, si në trening, qasje të punës dhe angazhim. Thjesht, unë edhe sot e kam moto, nga momenti i zgjimit nga gjumi kam kërkuar maksimumin e ditës, ta shfrytëzosh ditën dhe mos ta humbësh kot. Gjithmonë jam nisur nga vetja që në momentin e nisjes në stërvitje duke e demonstruar personalisht, sepse tjetër gjë është të bërtasësh e në anën tjetër mos të bësh asgjë. Besoj se me veprat e mia në fushë e kam dëshmuar se kam dhënë maksimumin. Sidomos besoj me përformancën e tre viteve kemi dëshmuar se kemi qenë mbrojtja më e mirë në Superligë duke pësuar bindshëm më së pakti gola”.

“Duhet t’i falënderoj të gjithë publikun futbolldashës të Kosovës, e posaçërisht atë prishtinas, e sidomos tifozët tanë që na kanë përkrahur maksimalisht në çdo ndeshje, Armendi ka provuar në të gjitha mënyrat e mundshme që i ka pasur në dispozicion, me gjithë shumë probleme, e potencoj, shumë problemeve që kemi hasur, që klubi t’i arrijë majat. Mirëpo, aq kanë qenë mundësitë e mia. Unë i dëshiroj klubit shumë suksese dhe shumë fat, sepse fati në futboll është shumë me rëndësi duke shpresuar që viteve të ardhshme klubi të arrijë majat që i kam pretenduar edhe unë vet këtu”.

“Duke iu referuar edhe fjalëve të nënkryetarit Muçiqi, se ne jemi kampion moral, pajtohem me të dhe kjo ma lehtëson pak dhimbjen në thonjëza, sepse neve njeri nuk na ka fal asnjë rivënie nga auti apo mos të them një faull, pra nuk kemi pasur asnjë dhuratë nga askush dhe të gjitha që i kemi arritur i kemi arritur pos me djersën tonë e duke e pru kampionatin për dy vite rresht deri në ndeshjen e fundit. Por, kështu ka qenë e shkruar, jeta vazhdon dhe Armendi me futbollin vazhdon”.

“Vetë jeta ime, karriera ime, unë si person, identifikohem si sportist dhe kërkuese maksimalist. Për mua tani fillon etapë e re, nuk do t’i ndahem futbollit dhe do të shoh se cila është mënyra më e mira për mua të gjej vetën në futboll e ku besoj se e kam një përvojë të madhe e të gjatë jetësore, sepse nuk janë pak më tepër se 500 ndeshje të mia, duke më ndihmuar nga krejt kjo eksperiencë me ekipet ku kam luajtur, me trajnerët që kam pasur, që këtë eksperiencë ta barti në gjeneratat e reja”.-shkruan Dallku.

Mbrojtësi i kombëtares në 64 takime, ku vendosi në krah edhe shiritin e kapitenit dhe realizojë edhe një gol është aktivizuar me skuadra si Prishtina dhe Elbasani, teksa kulmin e arriti te Vorskla Poltava.  Në karrierën e tij, Dallku ka fituar një Superligë kosovare dhe Superkupën e Kosovës, si dhe Kupën e Ukrainës me Vorskla.



EMISIONET