Ndërsa fundjava u mbyll me disa vatra zjarri në vend, e hëna ka nisur me identifikimin  dhe vënien para përgjegjësisë të zjarrvënësve. Policia në Fier, Librazhd dhe Tropojë ka nisur procedimet e para penale.

Një banor i fshatit Funares në Librazhd, kryeplaku i fshatit dhe inxhinieri i pyjores janë proceduar penalisht për djegien e një sipërfaqe kullote.

Uniformat blu filluan proçedimin penal në gjendje të lirë për shtetasin A.B., 64 vjeç pasi në fshatin e Funarës, në vendin e quajtur " Bishti i Dheut" dyshohet se i ka vënë zjarrin, dhe si pasojë është djegur sipërfaqe e kosiderueshme  kullotë.

Gjithashtu janë proçeduar penalisht  për shpërdorim detyre, pasi nuk kanë marrë masa për parandalimin e vënies së zjarrit shtetasit  F.M., 63 vjeç ( kryeplak i fshatit) dhe R.Ç., 37 vjeç ( inxhinier i pyjores).

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan për veprimet e mëtejshme.

Në Fier u rrezikua pylli me pisha

Policia e Fierit ndaloi shtetasin N.D, 68 vjeç, banues në Darzezë. Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi është kapur nga shërbimet e policisë në fshatin Darëzezë, duke ndezur një zjarr dhe si pasojë është djegur një sipërfaqe rreth 500 metra me shkurre e ferra duke rrezikuar edhe pyllin me pisha.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprën penale "Shkatërrimi i pronës me zjarr".

Procedim penal dhe në Tropojë

Policia e Tropojës procedoi në gjendje të lirë  shtetasin Sh.B., vjeç 60, banues në  fshatin Gegaj për veprën penale “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”.

"Procedimi ndaj tij filloi pasi, duke djegur mbeturinat në tokën e tij, i ka dalë zjarri jashtë kontrollit dhe për pasojë është djegur një sipërfaqe pyjore me shkurre rreth 1.5 dylim".

Materialet për veprime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tropojë, për veprën  penale “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”.

/Ora News.tv/