Fituesit e vërtetë të zgjedhjeve parlamentare në Bavari janë të Gjelbrit, humbësit më të mëdhenj socialdemokratët. A ndodhet CDU/CSU para ndërrimit të partnerit në qeverinë federale?

Humbja e CSU-së në zgjedhjet parlamentare në Bavari ishte pak a shumë si pritej: humbje e thellë historike. Historike sepse vetëm një herë tjetër, kur Gjermania sapo kish dalë nga lufta, në 1950 kishte marrë CSU thuajse kaq pak vota. Atëherë ajo mori 27,6 përqind, në 2018 37,3 përqind. Përndryshe, për rreth 60 vjet rresht CSU-ja e ka drejtuar (me një përjashtim) e vetme Bavarinë me 12.44 milionë banorë. Një rast i rrallë.

CSU-ja bavareze pati këtë herë një rënie prej 10.5 përqind, krahasuar me pesë vjet më parë. Por thuajse askush nuk po merret me këtë humbje. Nga njëra anë pasi CSU mbeti megjithatë forcë kryesore politike në Bavari, ndonëse tani i duhen partnerë për qeverisje. Edhe vetë kjo parti për momentin duket pak e interesuar për analizimin e gjendjes. Kryetari i Grupit të CSU-së në Bundestag, Alexander Dobrindt foli të enjten në medie për nevojën e krijimit të një qeverie stabile. Pra duket se CSU ka kaluar në pikën tjetër.

Disi i papritur, por me rëndësi për stabilitetin e qeverisjes është debati tjetër që ka nisur: ai për fatin e socialdemokratëve në qeverinë qendrore në Berlin. Ky diskutim ka marrë vrull nga humbja e thellë në Bavari e socialdemokratëve. Edhe ata patën humbje historike të dielën: morën 9,5 përqind, gjysmën e rezultatit të pesë viteve më parë. Kaq poshtë edhe socialdemokratët kanë qenë në Bavari vetëm një herë, menjëherë pas luftës: më 1946.


Gjermania ka ndryshuar

Që edhe një parti e djathtë, edhe një e majtë bien në mbështetje aq sa në fillimet e tyre, tregon nga njëra anë sa e ndryshme është aktualisht politika në Gjermani, krahasuar me kohën e pak viteve të shkuara. Sidomos që pas vitit 2015, me ardhjen e gati 1 milion refugjatëve në Gjermani, vendi nuk është më si më parë. Ka ndryshuar mbështetja ndaj partive, kjo është e qartë. Koalicionet e vazhdueshme mes partive më të mëdha në qeverinë qendrore, veç stabilitetit, po sjellin shpërthime padurimi, te të lodhurit nga kompromiset. Shtresa e mesme proteston herë duke ia dhënë votën ultra të djathtëve të AfD-së, herë duke i ndëshkuar me mosinteres partitë e vjetra. Për të nuk është e mjaftueshme gjendja e mirë ekonomike e vendit, papunësia e ulët në vend. Shoqëria gjermane është polarizuar edhe më thellë. Por jo vetëm kaq.

Me forcë po përplaset në vëmendjen publike fakti që sa e ndryshme ka mbetur deri më sot, edhe psikologjikisht dhe në mentalitet, Gjermania Lindore nga pjesa tjetër e Gjermanisë. Këtë e kujtojmë kur në landet lindore shpërthejnë ekcese e protesta kundër "atyre lart", kundër qeverisë qendrore. Apo kundër atyre që duken si të huaj, si së fundi në Chemniz.

Në këtë kuadër është vështirë për një parti të vetme, qoftë ajo edhe CSU-ja bavareze që të përfaqësojë dhe të marrë si më parë gjithçka.

Një revolucion i djathtë?

Deutschland Wieder rechte und linke Demonstrationen in Köthen | Linke (picture-alliance/dpa)

Gjermania ndodhet para një revolucioni të djathtë, shkruanin në një nga numrat e fundit analistët e revistës së njohur "Der Spiegel". Ka zhvendosje të elektoratit djathtas, pa dyshim. Kryetari i Grupit të CSU-së në Bundestag, Dobrindt ngjalli së fundi debate në një studio televizive, kur tha se 65 përqind e bavarezëve votuan në zgjedhjet parlamentare për bllokun konservator. Kjo shifër arrihet vetëm po të llogaritet në partitë e qendrës së djathtë edhe AfD-ja, gjë të cilën Dobrindt më pas e mohoi.

Megjithatë: fituesja e vërtetë e zgjedhjeve në Bavari nuk është AfD-ja. Ajo arriti vërtet rezultat të mirë në zgjedhje, prej 10,2 përqind, i cili e kualifikon që me kandidimin e parë për në parlamentin bavarez. Por fituesit e vërtetë në Bavari janë të Gjelbrit, dhe kjo po interpretohet si sensacion.

Sensacioni i të Gjelbërve

Të Gjelbrit dolën forca e dytë politike në Bavari, me 17,8 përqind. E dyfishuan rezultatin e mëparshëm.  Pikërisht të Gjelbërve u vajtën në Bavari shumë vota që humbën socialdemokratët. Ata  u morën vota të gjitha partive, por kryesisht socialdemokratëve. Nga spektri i majtë, tipat urbanë, si të thuash qytetarë të botës, votojnë sot jo si më parë, për socialdemokratët, por kryesisht për të Gjelbrit.

Për socialdemokratët në Gjermani voton ende spektri klasik majtist. Ndërsa apeli i tyre  ndaj shtresës së mesme përfundon pa jehonë.

Nga ana tjetër: fitorja e ekologjistëve po komentohet si sensacion, më tepër për shkak të temave që mbrojtën të Gjelbrit në Bavari: thellimin e integrimit evropian, në vend të motos "Bavaria e para" si CSU-ja. Ruajtja e mjedisit dhe ndryshimi i klimës.  Ndryshimin e klimës, në fushatë, të Gjelbrit e paraqitën si temë më të rëndësishme se politika ndaj refugjatëve dhe azili. Kjo në një kohë kur prania e temës së refugjatëve dhe e azilit pa pushim në media, të sugjeronte se ishte ai problemi kryesor, si për gjermanët, ashtu edhe për bavarezët. Por nuk rezultoi kështu.

Dilema e gjatë socialdemokrate për qeverisjen në Berlin

Socialdemokratët deklaruan pas zgjedhjeve parlamentare në Gjermani në vjeshtë 2017 se duan të rrinë në opozitë. Por kur dështuan negociatatat e CDU/CSU-së me liberalët dhe të Gjelbrit për formimin e qeverisë së paszgjedhjeve, socialdemokratëve u bënë presion që të rihyjnë në qeverinë qendrore. Kërkesa erdhi si nga presidenti i vendit, ashtu edhe nga vetë deputetët socialdemokratë. Me këtë synohej të pengohej forcimi i mëtejshëm i AfD-së.

Deutschland | Kandidaten für die neue Grünen-Spitze Robert Habeck und Annalena Baerbock (picture-alliance/dpa/J. Stratenschulte)

Sot socialdemokratët janë pjesë e koalicionit qeveritar në Berlin. Kjo kur është fakt se qeveria qendrore po e drejton vendin e shoqëruar nga fërkime, kryesisht të CDU me CSU-në. Megjithatë çmimin për pakënaqësinë e popullit, për debatet e pushtetit, e paguajnë sot edhe socialdemokratët. Si anëtarë të qeverisë qendrore, ata jo vetëm që nuk po konsolidohen në vota si parti, por po rrëshkasin edhe më poshtë. Kështu që pas rezultatit në Bavari, kryetarja e socialdemokratëve, Andrea Nahles tha se ditët e ardhshme do të vendosin për qëndrimin përfundimtar të kësaj partie në federatë. Kjo sugjeron se socialdemokratët mund të presin rezultatin e tyre në zgjedhjet e landit të Hessenit, në fund të muajit, për të vendosur a do të jenë më pjesë e qeverisë qendrore.

Në të njëjtën kohë, me zgjedhjen e dy drejtuesve të rinj dinamikë të partisë, është fakt se mbështetja për Aleancën 90/Të Gjelbrit është rritur kudo në landet e Gjermanisë. Sidomos në qytetet e mëdha gjermane. Kështu që në situatën aktuale, ka analistë që i shohin të Gjelbrit në vend të socialdemokratëve në koalicionin qeveritar në Berlin. Po të largohen prej tij socialdemokratët. Po le të presim. 

/DW/


/Ora News.tv/