A do ta blejë Kina Portugalinë?

A do ta blejë Kina Portugalinë?

Kur ishte trojka ajo që përcaktonte fatet e Portugalisë, Kina bleu masivisht sipërmarrje portugeze. Tani ajo do të blejë krejtësisht prodhuesin më të madh të energjisë në vend. A kërcënon varësia ekonomike dhe politike?

Dikur, prodhuesi portugez i energjisë EDP ishte një sipërmarrje krenare shtetërore me 25.000 punonjës. Së shpejti ai mund të kthehet në një koncern të leverdisshëm, i cili t'u përkasë kinezëve. Sipërmarrja shtetërore kineze Three Gorges, që zotëron që tani një të katërtën e sipërmarrjes, bëri një ofertë blerjeje në bursën e Lisbonës, dëshiron të blejë edhe pjesën që ka mbetur të aksioneve të EDP-së. Si pjesë të një "masterplani", me të cilin Republika Popullore mund të vërë nën kontroll elemente kyçe të ekonomisë portugeze, thonë paralajmëruesit. Kinezët janë po kaq të mirëpritur sa investorë të tjerë të huaj, ua kthen qeveria.

Investime strategjike


Shëtitja për pazar e Kinës nëpër Evropë ka shkaktuar kritika edhe në vende të tjera: në Gjermani për shkak të gllabërimit të sipërmarrjeve me rëndësi kyçe në sektorin e robotëve, të automjeteve dhe në fushën e mjekësisë, në Greqi për shkak të blerjes së portit të rëndësishëm të Pireut. Po qeveria që gjithmonë ka pak para e shtetit të krizës Portugali gëzohet për shiringat financiare nga Pekini - veçanërisht që kur ato e ndihmuan vendin në fundin perëndimor të Evropës të kalonte kohën e vështirë të trojkës. Në këtë kohë Kina u bë aksionere si askush tjetër në sipërmarrjet e Portugalisë dhe bleu - kur nuk e bëri askush - borxhe shtetërore portugeze.

Sot shoqëria e sigurimeve Fidelidade është pronë e koncernit kinez Fosun, njësoj si Luz Saude, sipërmarrje që është operatore e klinikave private. Fosuni kontrollon edhe një të katërtën e Millenium-BCP-Bank. Haitong bleu për rreth 400 milionë bankën e investimeve BESI. Grupi kinez HNA është partneri i vogël i shoqërisë së fluturimeve TAP. Operatori portugez i energjisë elektrike REN që prej trojkës i takon në një të katërtën State Grid International kineze.

A kërcënon varësia ekonomike?

Ndërhyrjet kineze janë shumë masive, mendojnë disa ekspertë të ekonomisë. "Ekonomikisht nuk ka kuptim kur prodhuesi më i madh i energjisë së vendit të kontrollohet nga vetëm një aksioner", thotë profesori i ekonomisë Joao Duque. Edhe më e habitshme është që qeveria portugeze nuk po ndërmerr asgjë kundër përpjekjes për përthithje.

Para së gjithash, kur një vit më parë, kur shoqëria e fluturimit TAP do t'i shitej një konsorciumi amerikan, qeveria portugeze tërhoqi frenën e emergjencës dhe i mbajti për vete 50 përqind të aksioneve. Kështu që heshtja në rastin e EDP-së mund të ketë vetëm arsye politike. Qeveria portugeze e sabotoi shitjen e një televizioni privat investorëve francezë, në një kohë që nuk e kundërshtoi blerjen e 30 përqind të koncernit të madh portugez mediatik Global Media nga një investor nga Macau, që u bë kështu aksioner kryesor.

Për shkak të varësisë nga investimet, Portugalia mund të ketë kaluar në një gjendje ku i bëjnë shantazh politik, druhet specialisti i ekonomisë, Joao Duque.

Por megjithatë nuk është e qartë nëse përthithja e EDP nga kinezët do të ketë sukses. Edhe amerikanët duhet të japin së fundi pëlqimin e tyre, për shkak të aktiviteteve në SHBA të koncernit.

 

EMISIONET