Zv/ministri i Jashtëm Etjen Xhafaj tha se diplomacia ekonomike po ridimensionohet. I ftuar në studion e lajmeve të Ora News me gazetaren Ilva Tare, Xhafaj tha se përfaqësitë diplomatike shqiptare do ti nënshtrohen një trajnimi.

Etjen Xhafaj: Diplomacia ekonomike është promovimi i të gjithë potencialit ekonomik të vendit, qoftë për investitorët e huaj për të ardhur në Shqipëri dhe për të investuar në fusha të ndryshme, qoftë për promovimin e produkteve shqiptare jashtë vendit, qoftë edhe për promovimin e imazhit të vendit si një destinacion turistik. Ridimensionimi i kësaj dmth që ne po marrim një qasje specifike duke patur një koncept të ri mbi gjithë diplomacione ekonomike për ta vendosur atë në qendër të punës së cdo minsioni për të pasur mundësi të angazhojmë sa më shumë diplomatë tanë me sa më shumë sipërmarrës të huaj.

Ilva Tare: Si do të matet performanca e tyre?

Etjen Xhafaj:  Këtë herë kemi një objektiv që është specifik. Ajo që po bëhet në vijim do të jetë një ritrajnim i të gjithë trupës së përfaqësimit të Shqipërisë me specifikat e diplomacisë ekonomike dhe me prioritetet e diplomacisë ekonomike.  Krahas kësaj ëshë duke u dedikuar një punë vërtet domethënëse në përgatitjen e materialeve që do të promovojnë Shqipërinë, qofshin këto sektoriale apo specifike për disa nga projektet.

Ajo që ne synojmë është ti japim një informacion sa më objektiv investitorëve dhe më pas të mundësojmë ardhjen e tyre në terren më pas vendimi do të jetë i tyre. Pra një mesatare për vendet krahësuese që kanë bërë thuajse të njëjtën qasje me Shqipërinë është që për çdo 300 kompani të kontaktuara vijnë 1,2 apo 3 në terren që investojnë. Por ky është një proces nga kontakti i parë deri tek implementimi.

Ilva Tare: Do të trajnohen ambasadorët për këtë?

Etjen Xhafaj:  Ambasadorët do të marrin një trajnim specifik për këtë, por kjo nuk ka lidhje me aftësitë e tyre. Ky është një operacioni komunikimi, dhe e gjithë pjesa për të cilën ata do të trajnohen do të jetë me përshtatjen ekonomike, dhe të kenë një ide të qartë të diploamcisë ekonomike. Gjithashtu do të ngrihet një strukturë mbështetëse për ta pranë ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme e cila do ti ndihmojë. Pra ambasadorët nuk do të përfshihen në komunikime teknike, ata do të përfshihen në rolin e tyre si pika e parë e kontaktit për të organizuar një vizitë të investitorëve specifikë në Shqipëri.

/Ora News.tv/