Rreshjet e bollshme të pak ditëve më parë kanë shkaktuar përmbytje në disa fshatra të qarkut të Shkodrës. Sipas pushtetit vendor, situata konsiderohet problematike në Anë të Malit dhe Dajc.

Janë 2 mijë hektarë tokë në ujë, rrugët dytësore të Obotit të bllokuara, si dhe aksi kryesor kalohet vetëm me mjete të mëdha.

Jashtë funksioni kanë dalë edhe Ujesjellësat e këtyre fshatrave. Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi ka kërkuar nëpërmjet një shkrese zyrtare shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në Anë të Malit dhe Dajç, duke pretenduar se është keqmenaxhuar kaskada e Drinit dhe janë bërë shkarkime të pakontrolluara që po vënë në rrezik jetën e banorëve të këtyre zonave.

Voltana Ademi (7/3/2018): Shpallja e emergjencës bën të mundur që ky vlerësim të marrë atë vlerë që duhet dhe ti njihet e drejta të gjithë atyre banorëve që janë dëmtuar dhe vazhdojnë të dëmtohen. 

Pretendimet e kryetares së Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi janë hedhur nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, KESH ka bërë të ditur se në këto zona ka patur përmbytje të disa parcelave, por ato kanë ndodhur për shkak të reshjeve të dendura të shiut dhe nuk kanë lidhje me programin e shkarkimeve të kontrolluara nga Korporata.

Më tej, KESH thekson se siç sanksionohet ne Rregulloren e Trajtimit te Plotave, shkarkimet e kryera, kanë qenë shumë të uëta, më pak se gjysma e prurjeve natyrale në kaskadë.

Gjiknuri: Ato pak përmbytje që kanë ndodhur, nuk kanë ndodhur për shkak të shkarkimit të ujërave nga kaskada. Më shumë janë përmbytje natyrore në ato fshatra që ka ndodhur, por nëse do të ketë shkarkime të mëtejshme, edhe nëse do të ketë përmbytje, impakti do të jetë jashtëzakonisht i vogël. Në varësi të motit, realisht paralajmërimi është që do të kemi reshje të mëtejshme, dhe një pjesë e madhe e borës ju e dini që është shkrirë dhe potencialisht prurjet do të jenë të mëdha. Nëse do të kemi prurje të mëdha, jemi të detyruar të shkarkojmë më shumë.  Por jam i bindur që nga këto të dhëna që duken që nuk do të jemi në ato përmasa të shkarkimeve të vitit 2010, sepse ai mbahet si një skenar, që deri diku mund të quhet një skenar i keq

Ndërsa për momentin KESH është  detyruar të bëjë shkarkime të ujit, për shkak të rreshjeve të bollshme, të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave tregojnë se Shqipëria mbetet e varur nga importi për furnizimin me energji. INSTAT ka publikuar Bilancin e Energjisë Elektrike, ku konstaton se gjatë vitit 2017 importi i energjisë është rritur me 86.3 % kundrejt vitit të mëparshëm, ndërsa prodhimi vendas ka pësuar një rënie vjetore prej 36.6 %.

Importet janë rritur edhe për të plotësuar shtimin e kërkesës për energji nga konsumatorët. Gjatë vitit 2017, përdorimi i energjisë elektrke nga bizneset u rrit me 7.6% kundrejt vitit 2016, ndërsa energjia e përdorur nga familjarët pësoi rritje me 1.3%.

/Ora News.tv/