Brenda një viti Fototeka e Arkivit të Shtetit do të jetë online. Do të jenë rreth 70 mijë foto që do të digjitalizohen e do të mund të aksesohen nga qytetarë e studiues. Për të bërë të mundur këtë proces, të premten u nënshkrua memorandumi i bashkëpunimit mes Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave dhe Akademisë së filmit dhe Multimedias Marubi.

Këto fotografi (në foto) që ndodhen në Drejtorinë e Arkivit të Shtetit e që shumë prej tyre datojnë prej vitit 1800 shumë shpejt do të mund të aksesohen online nga studiues, qytetarë e dashamirës së fotografisë.

Për të bërë të mundur këtë proces, të premten Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave nënshkroi Memorandumin e Bashkëpunimit me Akademinë e Filmit dhe Multimedias Marubi.

Drejtori Ardit Bido tha se projekti që ka një rëndësi të veçantë historike do të realizohet brenda këtij viti.

Ardit Bido: Ne do të realizojmë brenda këtij viti sistemin e plotë të Fototekës së AQSH, të skanohen dhe hidhen online për ti lënë rrugën pastaj katalogimit elektronik në mënyrë që çdo qytetar i interesuar për historinë e fotografisë të mund ta aksesojë atë lirisht.

Moment të rëndësishëm për trashëgiminë e cilësoi edhe Drejtori i Fotografisë në Akademinë Marubi, Luçiano Bedeni.

Luçiano Bedeni: Një tjetër moment i rëndësishëm për ne dhe trashëgiminë në terësi mbeten patjetër të gjithë ato dokumente të jetëve të fotografëve që ne shpresojmë që shumë shpejt ti nxjerrim në dritë dhe t' ia tregojmë publikut.

Marrëveshja për digjitalizimin e rreth 70 mijë fotografive vjen në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriot Skënderbeut.







/Ora News.tv/