"Dhunë me studentët", opozita kërkon seancë dëgjimore me ministrin Sandër Lleshaj

"Dhunë me studentët", opozita kërkon seancë

Ministri i Brendshëm dhe Ministrja e Arsimit do të raportojnë para komisionit të Medias për situatën e krijuar me protestën e studentëve. Deputetët e opozitës kanë kërkuar të zhvillojnë një interpelancë të martën me Sandër Lleshin për dhunën e ushtruar ndaj studentëve në fakultete. Nga ana tjetër mazhoranca ka propozuar një tjetër interpelancë, me Ministren e Arsimit Besa Shahini, e cila do të duhet të paraqitet të mërkurën para deputetëve.

Deputetët e opozitës në Komisionin e Medias kanë akuzuar Kryeministrin Rama dhe  Ministrin e Brendshëm për dhunë ndaj studentëve që janë ngujuar në fakultete. Për këtë arsye opozita ka kërkuar në interpelancë ministrin Sandër Lleshi.

Vokshi: Ministri Sandër Lleshi të vije nesër përpara këtij komisioni, për të raportuar arsyet pse është ndërhyrë me dhunë brenda ambienteve universitare.

Akuzat e deputetes Albana Vokshi janë pasuar me debatet me tone të larta, madje deri në fyerje si në rastin me deputeten socialiste në qarkun e Vlorës, Vilma Bello.

Vokshi: E patë në Vlorë gjyqin që i bënë studentët

Bello: Falë ligjeve të jetës që nuk klonohet një si ty, se pastaj ti do ishe modeli më i gabuar, i nënës, i gruas, i deputetes dhe i kryetares së komisionit.

Mazhoranca si kundërpërgjigje ndaj propozimit të PD kërkoi në interpelancë ministren e Arsimit Besa Shahini.

Ekonomi: Unë propozova që nesër të bëjmë një dëgjesë me ministren dhe grupet e interesit.

Në komision LSI kërkoi rritjen e përfaqësimit të studentëve në borde. Nismëtarët kërkuan dhe 1 javë kohë para se çështja të diskutohet për të diskutuar më parë me grupet e interesit. Ajo që nuk mbeti pa u vënë re ishin edhe 2 ish Ministret Kumbaro dhe Nikolla, të cilat nuk preferuan të debatojnë për studentët dhe Arsimin e Lartë.

Rrokaj: Propozimi i LSI i bërë që në dhjetor që kapi një problem emergjent të studentëve, propozimi i ri është që të shtyhet dhe të hapet nje debat i gjerë. Pse? Sepse Parlamenti, komisioni, deputetët nuk kanë bërë deri më sot një debat rreth kësaj problematike.



EMISIONET