Dhuna në familje, 4 mijë denoncime në polici

Dhuna në familje, 4 mijë denoncime në polici

Nga 20 denoncime për dhunë në familje, që bëheshin para 10 vitesh në vendin tonë, sot kjo shifër ka arritur në 4 mijë. Por sipas përfaqësuesve të Ministrisë së Brendshme, sërish fenomeni, vazhdohet të mbetet i fshehur për qindra e mijëra gra, që nga frika e dhunuesit nuk kanë guxim të shkojnë në polici. Vetëm 1 në 10 gra në vendin tonë e denoncojnë dhunën. 

Zv.ministre e Brendshme, Romina Kuko: "Kanë qenë 20-30 denoncime në vit, sot numërojmë 4 mijë raste të dhunës në familje të denoncuara në polici. Sipas INSTAT, 1 në 10 gra e denoncojnë dhunën  në familje, çka domethënë që kemi 10-fishin e rasteve ende mbrapa dyerve të mbyllura." 

Drejtori i Policisë së Tiranës, Ardi Veliu kërkoi që çdo rast dhune të denoncohet, duke siguruar se me procedurat e reja, çdo kallëzim në polici dërgohet direkt në gjykatë.

Drejtori i Policisë së Tiranës, Ardi Veliu: "Ka ndryshuar gjithë procedura për mënyrën se si ne i referojmë. Automatikisht me marrjen e një kallëzimi është vendosur në një mënyrë shumë të shkurtër që kallëzimi kalon në gjykatë dhe nuk kalon hapa të tjera të cilat ne na vonojnë, e shtojnë apo rëndojnë rastin, por direkt gjykata vendos" 

Gjatë një takimi sensibilizues me disa të rinj në kryeqytet, drejtues të Policisë së Shtetit, kanë apeluar që për çdo rast dhune kudo ku ata e shohin ta denoncojnë në numrat e telefonit 112 ose 129.   

EMISIONET