Dezertim në 40 ditë, ushtari kalon kufirin drejt Jugut, pa incidente

Dezertim në 40 ditë, ushtari kalon kufirin drejt Jugut, pa incidente

Një ushtar koreano-verior ka arritur të dezertojë drejt Koresë së Jugut, përmes Zonës së demilitarizuar që ndan dy vendet. Ndryshe nga bashkatdhetari i tij i cili dezertoi në nëntor, ushtari ia doli të kalonte kufirin i padëmtuar.

Një ushtar koreano-verior ka dezertuar përmes Zonës së Demilitarizuar drejt Koresë së Jugut, ngjarja e dytë e këtij lloji në dy muaj. Ushtari u shfaq mes mjegullës së dendur para një roje koreano-jugore, rreth orës 08:04 referuar kohës lokale, ndërkohë që mediat raportojnë se ai ka kaluar përmes një pjesë të fortifikuar të kufirit tokësor mes dy Koreve.

Ministria koreano-jugore e Mbrojtjes po heton tashmë motivin për dezertimin, ndërkohë që raportohet se ushtari ka shpëtuar paq, teksa akti i tij i largimit nga vendi nuk është shoqëruar me incidente. Ushtria koreano-jugore ka lëshuar 20 të shtëna paralajmërimi tek një grup koreano-verior që ishte vënë në kërkim të dezertuesit.

Kujtojmë se më 13 nëntor, një tjetër ushtar koreano-verior kaloi në mënyrë dramatike kufirin mes dy vendeve. Ushtari në fjalë u plagos rëndë nga ish-kolegët e tij, por arriti të mbijetonte. Katër ushtarë koreano-veriorë kanë dezertuar drejt Jugut këtë vit, ndërkohë që që prej fundit të luftës mes dy Koreve në 1953, kanë qenë rreth 30.000 shtetas koreano-veriorë që kanë ndërmarrë udhëtimin e rrezikshëm të largimit drejt Jugut.

EMISIONET