Edhe pse ndodhet në pozita aspak të favorshme, trajneri i Kastriotit, Bledar Devolli shprehet se ekipi nuk është dorëzuar për të përmbushur objektivin mbijetesë. Pas takimit me Partizanin, i mbyllur në barazim 1-1, "timonieri" i krutanëve u shpreh:

"Nuk jemi dorëzuar akoma. Do të falenderoj Partizanin për lojë fair-play dhe burrërore. Mendoj që lamë 2 pikë. Me kartonin e kuq e menduam ndeshjen të fituar. Ishim superior në të gjitha drejtimet. Këta golat e pësuar po na bëhen gangren. Në momentin e kartonit të kuq, u prish pak loja, aty nuk më pëlqeu. Në vend që të shtonim një marsh, atje e ulëm disi rritmini. Gjithsesi i falenderoj djemtë për ndeshjen e mirë.”

Mund t’ia dalë skuadra?

"E dini ku kemi qenë? Kemi marrë 21 pikë. Nuk është faji jonë që fitojnë dhe rivalët. Kemi marrë pikët maksimale. Deri në momentin e fundit do luftojmë. Jemi në dorën e të tjerëve, nuk jemi në dorën tonë."

Sot nuk u treguat aq ekip i çmendur…

"Varet në çfarë këndvështrimi e shikoni. Kemi qenë superior në pjesën e parë, në të gjitha drejtimet. Nuk e lejuam Partizanin, për këtë kanë meritë këta çunat. Unë jam me futbollistët deri në vdekje. Nuk i hedh kurrë poshtë, si të humbas dhe të fitoj."

Mungesa e eksperiencës…

"Më mirë mos kishte dalë Rexhepi me karton të kuq. Ndoshta dhe eksperienca ka të bëjë. Kundërshtari i ka të gjithë lojtarët që kanë shumë eksperiencë. Kanë dalë dhe kampionë. Ne na duhen pikët patjetër, kjo na penalizoi disi.

"Vatnikaj kishte 3 javë që nuk stërvitet, edhe Bojom shtrëngoi dhëmbët sot. Gjithashtu edhe Pepa nuk ka kondicionin e duhur fizik. Kjo na i vështirësoi gjërat. Unë asnjëherë nuk dorëzohem, do të vazhdojë punën. Shpresoj të gabojnë edhe rivalët. Do të vazhdojmë luftën deri në ndeshjen e fundit."-përfundoi Devolli.



/Ora News.tv/