Rreth 80 % e tokës bujqësore në Devoll ka mbetur peng e mungesës së një topografi pranë bashkisë për të marrë certifikatën e pronësisë. Në këtë situatë, fermerët detyrohen ti drejtohen privateve, por thonë se çmimet janë të papërballueshme. Në bashkinë e Devollit, vendi i topografit mbetet vakant, pasi asnjë nuk e pranon për shkak të pagës.

Gati 80 % e tokave bujqësore në Bashkinë e Devollit janë pa certifikatë pronësie, duke penalizuar fermerët ti shesin, ti blejnë por edhe të përfitojnë nga skemat subvencionuese.

Shkak për këtë situatë është mungesa e një topografi të licencuar pranë Bashkisë.

"Po hamë kokën njëri me tjetrin që nuk vjen ti ndajë tokat tamam", tha një fermere.

"Po nuk funksionoi bashkia, merre me mend sa mund të kërkojë privati", tha fermeri.

Fermerët zotërojnë aktin e marrjes së tokës në pronësi, por për të marrë certifikatën duhet të paguajnë një topograf privat.

Për shumë prej fermerëve, tarifat e privatëve janë të papërballueshme ndaj thonë se kanë mbetur pronarë pa dokumente.

"Privati kërkon 800 mijë lekë të matë tokën"

"Themi që kemi tokën me ligjin 7501, por jemi në ajër. Dmth pronarë jemi, por pa prona"

Pajisja e fermerëve të cilët zotërojnë aktin e marrjes së tokës në pronësi me certifikata pronësie është një proces që duhet të kryhet falas nga ana e bashkive.

Por në Bashkinë e Devollit, vendi i topografit mbetet vakant, pasi asnjë nuk e pranon pozicionin për shkak të pagesës.

"Është një pozicion që ne nuk po gjejmë një topograf të licencuar që të vazhdojë procesi i regjistrimit", tha përfaqësuesi i bashkisë.

Në këto kushte, fermerët e devollit kanë mbetur peng të situatës, dhe e vetmja zgjidhje janë topografët privatë.

/Ora News.tv/