Detaje të reja nga pushimi i hetimeve për ekstradimin e Nezar Seitit

Detaje të reja nga pushimi i hetimeve për ekstradimin e Nezar Seitit

Ekstradimi i Nezar Seitit në Itali, është kryer në shkelje të e nenit 491 të Kodit të Procedurës Penale por në këtë procedurë nuk ka elementë të veprës penale të shpërdorimit të detyrës. Kështu thuhet ndër të tjera në vendimin e Gjykatës së Durrësit të datës 22 qershor 2018, që ka lënë në fuqi vendimin e prokurorisë për pushimin e hetimeve lidhur me këtë çështje. 

Sipas vendimit, prokuroria e Durrësit gjatë hetimit të kryer ka konstatuar shkelje nga ana e institucioneve por jo të asaj natyre që përmbushin elementet e veprës. Ky konkluzion ka qenë shkak i kërkesës së bërë nga organi i akuzës para togave të zeza më 8 maj për të zyrtarizuar pushimin e hetimeve për mungesë të elementëve të veprës penale.

Sipas hetimit, shkeljet në rastin e ekstradimit të Nezar Seitit, janë kryer nga Policia Gjyqësore e Drejtorisë së Policisë Tiranë, Prokuroria e Tiranës, Gjykata e kryeqytetit, Drejtoria e Marrëdhënieve me Jashtë në Ministrinë e Drejtësisë, dhe nga Drejtoria e Marrëdhënieve Juridiksionale pranë Prokurorit të Përgjithshëm. Në vendim theksohet se shkeljet nuk përbëjnë vepër penale por që mund të përbëjnë elementë për procedim disiplinor, ndaj për këtë arsye, përfundimet e hetimit u janë dërguar institucioneve për marrjen e masave ndaj autorëve të shkeljeve.

Bazuar në hetimet e kryera është konstatuar se nga Ministria e Drejtësisë janë kryer procedurat e ekstradimit, ndërkohë që Nezar Seiti ishte në hetim në shtetin shqiptar me masë sigurimi arrest në burg për llogari të procedimit 134 të vitit 2016 nga Krimet e Rënda në Tiranë. 

Organi i akuzës vlerëson se nga ky ekstradim mungon ardhja e pasojës, pasi transferimi ne Itali i Nezar Seiti nuk nënkupton lirimin, duke qenë se ekstradimi nuk nënkupton shmangien e këtij shtetasi nga hetimi në shtetin shqiptar pasi Procedimi tek Krimet e Rënda Tiranë, ndaj Nezar Seitit vazhdon.

Pas arrestimit në Babicë të Vlorës vitin e kaluar Nezar Seiti po hetohej nga Krimet e Rënda si pjesë e grupit të vëllezërve Habilaj në momentin që u ekstradua në Itali edhe pse ishte me masë arresti në mungesë nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Tri ditë më parë, Gjykata e Katanias e liroi nga burgu Seitin duke e lënë në arrest shtëpie.

EMISIONET