Rektori i Universitetit të Arteve, Kastriot Çaushi, duke folur në seancën dëgjimore në Komisionin e Medias ku ishin ftuar Rektorët e Universiteteve publike, kërkoi status të veçantë për shkollën e arteve.

Çaushi tha se kjo ka qenë parashikuar dhe në projektin e reformës në drejtësi por që në finalizimin e saj mbeti jashtë.

Nga ana tjetër Rektori kërkoi financim të ndryshëm nga qeveria për këtë Universitet, duke u shprehur se në Universitetin e Arteve bëhet mësim individual ose në grupe shumë të vogla dhe kostoja është shumë e lartë.

Kastriot Çaushi: Sa mirë që ndodhi kjo gjë që hapi një plagë që kemi pasur gjithë jetën. Kam vajtur në atë shkollë 18 vjeç. Studentët na kanë mirëkuptuar në kërkesat që kemi bërë dhe do të bëjmë.

Më vjen keq që ku ka qenë projekti i ligjit për arsimin e lartë, në nenin 17 për organizimin e institucioneve të arsimit të lartë, pika 5 thotë: "Institucionet e arsimit të lartë që ofrojnë programe studimi në fusha me veprimtari akademike specifike lidhur me organizimin  dhe zhvillimin e procesit mësimor gëzojnë status të veçantë".

Deri në momentin e fundit kjo ka qenë në projekt.Kur është bërë ligji nuk është përfshirë. Këtë ma kërkojnë pedagogë dhe studentë. Ne kemi bërë një projekt të ri, kemi kërkuar përsëri. Askush nuk e mendon që Universiteti i Arteve të mos ketë status të veçantë. Ka dhe zëra që thonë po mirë, një pedagog i violinës të bëjë mësim me tre violinistë përnjëherësh?

Mësimi te ne bëhet individual dhe me grupe shumë të vogla. Përveçse kostoja e studentit në Universitetin e Arteve është nga më të lartat, 4 milion- 4.5 milion, ne vazhdojmë të financohemi jo në raportin 1/6, 1/8 që kanë gjithë Universitetet e botës për mësimin individual, por me të njëjtën rritje 3-4%.

Për 850 studentë, mësimin e kemi individual, ne marrim të njëjtën rritje 3-4%. Kjo ka bërë që një student i pianos apo violinës në kohën e dimrit i bie violinës me shall dhe pallto të madhe.

Deri vjet na ka pikuar çatia.Morëm një fond të konsiderueshëm vjet dhe rregulluam të paktën çatinë. Do tu lutesha shumë të mund të influenconi që Universiteti i Arteve ashtu siç ka qenë në projekt të marrë statusin e veçantë dhe mënyra e financimit duhet të jetë e ndryshme. Nëse zgjidhen këto dy gjëra ne do të hamë me "lugë floriri", në të kundërt do të jemi keq.

/Ora News.tv/