Kupa e Shqipërisë rikthen në Qemal Stafa pas 3 vjetësh derbin klasik mes Partizanit dhe Tiranës, sfidë që i ka munguar kryeqytetit, për shkak të një kalvari problemesh që përmblidhen me rënien e kuqve në kategoritë inferiore. Partizani i trembej një goleade historike ndëshkuese në raundin e parë të fazës së grupeve dhe fillimi justifikon pritshmëritë. Gol pas vetëm 8 minutash lojë kur Morina kurorëzon me sukses një aksion të shpejtë të bardhebluve. Eufori në pjesën e tifozërisë së Tiranës dhe Çoçlli mendon më të keqen në pankinë, por rivaliteti i fanellave është më i fortë edhe se diferencat mes dy formacioneve. Partizani rikthehet në lojë pas vetëm tre minutash. Sulçe pengohet në zonë nga Pisha dhe 11-metërsh, të cilin Thana gjakftohtë e shndërron në gol. 1-1 dhe është kampi tjetër, ai i kuq, që feston. Është e qartë se Tirana ka kualitet më tepër dhe është në kërkim të fitores, ndërsa Partizani kundërsulmon, por dy minuta nga pushimi duhet të kthehet në disavantazh, pas golit të shënuar nga Gilman Lika. Goditja e fortë e shkodranit nuk i lë shanse Pavlovic, duke shënuar golin e dytë. Tirana provon të mbyllë ndeshjen në pjesën e dytë, por të kuqtë janë agresivë në mesfushë, me synimin e qartë për të mos pësuar më. Çoçlli bën lëvizjet e tij, më tepër për të forcuar rezistencën, sesa për të parë drejt portës së Ilion Likës. Mbyllet 1-2 në favor të Tiranës, por derbi edhe pse në këto pozita, nuk ka zhgënjyer.

/Ora News.tv/