Deputetja italiane e alarmuar për vdekjen e 16-vjeçarit shqiptar: Vëmendja duhet të jetë e njëjtë

Deputetja italiane e alarmuar për vdekjen e 16-vjeçarit shqiptar:

Deputetja e Parlamentit italian, Michela Rostan ka bërë një reagim të ashpër për vdekjen e 16-vjeçarit shqiptar, i cili u aksidentua nga një shtetase italiane.

Në një status në Facebook, ligjvënësja italiane kritikon mediat që nuk i kanë dhënë hapësirën e duhur aksidentit që i mori jetën adoleshentit shqiptar.

Deputetja Rostan shprehet se nuk ka rëndësi nëse viktima është italian apo shtetas i huaj, po kështu edhe shkaktari i aksidentit. Ajo thotë se të gjithë duhet të trajtohen njësoj.

“Në Ischia, një 16-vjeçar u përplas nga një makinë dhe humbi jetën. Një tragjedi, shumë prej të cilave ndodhin në rrugët tona, por që u trajtua në mënyrë sipërfaqësore nga gazetat lokale. Kur lexojmë artikullin, zbulojmë dy gjëra. Djali ishte shqiptar dhe kishte shkuar për pushime tek motra e tij. Autorja është italiane dhe 7 vite më parë kishte përplasur për vdekje një polic. Unë besoj që viktimat, italianë apo të huaj, meritojnë të njëjtën vëmendje, atë ndjenjë njerëzore për ata që humbasin jetën në rrethana dramatike. Në të njëjtën kohë, shkaktarët, italianë apo të huaj, duhet të gjykohen dhe të ndëshkohen për gjërat që kanë bërë. E gjithë pjesa tjetër është retorikë skandaloze raciste, intolerancë e pastër“, shkruan deputetja në postimin e saj në Facebook.

I riu shqiptar, Xhemal Velsami u përpas për vdekje dy ditë më parë nga një makinë tip Peugeot teksa po kalonte në anën tjetër të rrugës.


EMISIONET