Gjermania ka përsëritur se ideja e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë përveçse është e rrezikshme, do të krijonte probleme të reja për të gjithë rajonin. Dy deputetët të Bundestagut gjerman theksuan megjithatë në një takim me shefin e qeverisë së Kosovës se palët duhet të gjejnë rrugëzgjidhje për çështjet që po pengojnë dialogun prej kohësh. Ata përsëritën kërkesën që taksa ndaj produkteve serbe të shfuqizohet.

Dy pjesëtarë të parlamentit gjerman përsëritën të hënën në Kosovë edhe një herë qëndrimin e tyre kundër idesë së shkëmbimit të territoreve me Serbinë.

Partnerët e koalicionit qeverisës CDU-CSU në Gjermani, Kristian Shmit dhe Peter Bauer, i bënë të ditura pikëpamjet e tyre pas një takimi që zhvilluan paradite në selinë e kreut të qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj.

Schmidt: "Kushdo shprehet në favor të kësaj ideje duhet të jetë i vetëdijshëm që ajo do të krijonte mjaft probleme të reja që do të preknin jo vetëm Kosovën, por edhe rajonin në përgjithësi."

Bauer:"Ne sigurisht që do të luajmë rol ndërmjetësues dhe do të jemi partnerë mbështetës në proceset e ardhshme të Kosovës, sigurisht me një sy kritik. Por për sa i përket shkëmbimit të territoreve, edhe më herët Gjermania ka qenë shumë e qartë se jemi absolutisht kundër kësaj ideje."

Qëndrimin kategorik ndaj konceptit të shpalosur prej verës së kaluar nga dy presidentët e Kosovës dhe të Serbisë e shprehu edhe vetë Kryeministri.

Në takimin me shefin e kabinetit, dy parlamentarët diskutuan gjithashtu për bashkëpunimin rajonal, duke i dhënë theks të veçantë pezullimit të taksës doganore ndaj mallrave me origjinë serbe dhe boshnjake, që po vë në rrezik finalizimin e dialogut me Serbinë.

Çështja e taksës u ngrit në një takim të mëvonshëm edhe nga shefja e zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë.

Në një aktivitet me rastin e trevjetorit të firmosjes së marrëveshjes së stabilizim-asociimit, përfaqësuesja e BE-së apeloi qeverinë se ka ardhur koha që vendimi i nëntorit të rishqyrtohet pasi barriera fiskale është në kundërshtim me CEFTA-n dhe me parimet e MSA-së, dhe po e bën vendin jotërheqës për investimet e huaja.

/Ora News.tv/