Edhe Ogerta Manastirliu plagjiaturë?!

Edhe Ogerta Manastirliu plagjiaturë?!

Skandali me Doktoraturat e kopjuara këtë herë ka përfshirë Ministren e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu. Sipas një denoncimit të Lëvizjes për Universitetin, Ministrja ka kopjuar gërmë për gërmë temën nga puna e një diplomanti për Master Shkencor nga Republika e Afrikës së Jugut.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, është e rradhës që përfshihet në skandalin e plagjiaturave pas ish-zëvendësministrit të Arsimit, Ervin Demo, i cili dha dorëheqjen nga detyra.

Denoncimi këtë herë nuk vjen nga studiuesi Taulant Muka, por nga Lëvizja për Universitetin.

Bëhet fjalë për Doktoraturën e vitit 2013 me temë “Krahasimi i monitorimeve të mjedisit në landfillin e Sharrës para dhe pas ndërhyrjes si dhe ndikimet në mjedis”.

Sipas këtyre fotove, rezulton se në kapitujt hyrës së Doktoraturës Manastirliu ka kopjuar thuajse çdo gërmë nga puna shkencore e një diplomanti për Master Shkencor nga Republika e Afrikës së Jugut

"Duhet hapur diskutimi se çfarë është plagjiatura te ne. Pretendojmë se kemi Universitete, por si mund të kesh Universitete pa kërkim shkencor, si mund të kesh kërkim shkencor nëse nuk ke një mekanizëm për të kontrolluar plagjiaturat?"

Por Ministrja e Shëndetësisë përmes një reagimi thotë se në punimin e saj ka përdorur 4 deri në 5 citime nga një material shkencor, por hedh poshtë akuzat për plagjiaturë.

“Kam punuar me profesionalizëm në kryerjen e saj, falë edhe përkushtimit të udhëheqëses shkencore dhe profesorëve të tjerë të nderuar. Duke zbatuar me përpikmëri çdo rregullore të sistemit universitar shqiptar. Mbetem e bindjes se i duhet dhënë fund një herë e mirë lehtësisë me të cilën ngrihen tymnaja shpifjesh në këtë vend” shprehet Manastirliu, duke shtuar se kjo akuzë cënon jo vetëm dinjitetin e saj, por edhe të Profesorëve që kanë asistuar në realizimin e temës së Doktoraturës.

EMISIONET