Bleu 'Benz' 600 mijë euro, dënohet me 2 vjet burg Nikolla Gruevksi

Ish kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski është dënuar me 2 vite burg për shpërdorim detyre.

Gjykata Penale shpalli fajtor Gruevskin për rastin “Tanku", që ka të bëjë me blerjen e një Mercedes-Benzi luksoz me vlerë rreth 580 mijë euro. 

Gjykata vendosi të sot (23 maj) se Gruevski, i cili shërbeu si kryeministër nga 2006-2016, kishte keqpërdorur detyrën duke urdhëruar zyrtarët për blerjen e automjetit qeveritar në vitin 2012 me buxhetin e shtetit.

Ndihmës-ministri i punëve të Brendshme, Gjoko Popovski është dënuar me 6 vite e 6 muaj heqje lirie ndërsa është duke u zhvilluar një proces i veçantë gjyqësor për këtë rast edhe ndaj ish-Ministres së Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska.

Akuza ndaj tyre ka të bëjë me shkeljet ligjore të konstatura në procesin e blerjes së automjetit të blinduar.

Gjykatësja, Dobrila Kacarska tha se Nikolla Gruevski kishte kërkuar nga ish-ministrja e brendshme, Gordana Jankullovska të nisë procedurën për blerjen e makinës. Ndërsa kjo e fundit kishte nxitur Gjoko Popovskin që të favorizonte një kompani të afërt të saj në procedurat e tenderimit.

Është nder të jesh bartës i funksionit, e në veçanti kryeministër. Legjitimitetin e ka marrë nga qytetarët andaj dhe duhet të kujdeset për interesat e tyre. Por, në vend të kësaj, ai i ka nënçmuar qytetarët,”-deklaroi gjykatësja, duke thënë se Gruevski ka fyer qytetarët maqedonas, pasi pa dijeninë e tyre dhe në fshehtësi ka blerë makinë sipas dëshirës së tij.

Ai u dënua duke përdorur prova nga materiali audio, i mbledhur gjatë një skandali masiv përgjimi që shpërtheu në vitin 2015 dhe që kontribuoi në rënien e qeverisë së tij.  Gjykatësi vendosi të pranonte materialin audio si dëshmi.

Ndaj Gruevskit po zhvillohen edhe katër procese tjera gjyqësore. 

Rasti më i rëndë është ai i procesit të koduar “Titanik”, ku ish-kryeministri dhe shumë ish-zyrtarë tjerë të lartë në Maqedoni akuzohen për mashtrime zgjedhore gjatë qeverisjes së tij në vitin 2014.

EMISIONET