Ish-kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri ka reaguar në lidhje me dënimin e katër deputetëve të kësaj partie për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Në një postim në Facebook, Ymeri  ka shkruar se dënimi i sotëm tregon qëllimin politik të rastit ndaj deputetëve. Sipas tij, akti i sotëm është më hipokrit i prodhuar nga institucionet deri më tani.

Reagimi i Visar Ymerit

Dënimet e shqiptuara me rastin e shpalljes së aktgjykimit ndaj deputetëve janë treguesi më i mirë për qëllimin politik të këtij rasti.

Gjykata Themelore në Prishtinë, e përfaqësuar nga Beqir Kalludra shprehi supremacionin juridik dhe politik ndaj aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, dhe vullnetit të 205 mijë qytetarëve të cilët shprehën kundërshtimin e tyre në peticionin referendar ndaj marrëveshjeve që cenonin qenësinë e Republikës, për kundërshtimin e të cilave sot deputetët u shpallën fajtor.

Ky gjykim me këta gjyqtarë është mostra më kredibile që dëshmon diktatin politik ndaj sistemit gjyqësor.

Albini, Albulena, Donika dhe Fatoni janë përfaqësues të popullit në emër të të cilit sot u dënuan. Aktgjykimi si i tillë është akti më hipokrit që ka prodhuar ndonjë institucion vendor deri më tani dhe si i tillë është mjeti i fundit i persekutimit të kundërshtarëve politik.

/Ora News.tv/