“Demokracia në krizë”,SHBA humb rolin tradicional, Kina dhe Rusia po përfitojnë

“Demokracia në krizë”,SHBA humb rolin tradicional, Kina

Për të 12-tin vit rradhazi, demokracia në botë shënon rënie. Raporti i Freedom House për Lirinë në Botë pasqyron një panoramë të zymtë sa i përket të drejtave politike e lirive civile. Ndikimin më të madh në këtë trend rënës e ka patur tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga roli tradicional i kampionit të vlerave demokratike. Ndërkohë sa i përket vendit tonë, raporti vlerëson se Shqipëria vijon të mbetet një vend gjysmë i lirë.

Demokracia është “në rrezik dhe në tkurrje” në mbarë botën. Shtetet e Bashkuara “abdikuan” rolin tradicional si kampion i idealeve demokratike vitin e kaluar, ndërsa Rusia dhe Kina “po rrisin represionin” dhe “po eksportojnë influencën e tyre malinje” nëpër botë.

Janë këto konkluzionet në të cilat ka arritur organizata jo-qeveritare Freedom House, përmes raportit “Liria në Botë 2018”, mbi erozionin global të të drejtave politike dhe lirive civile, publikuar më 16 janar.

2017 është viti i 12-të rresht i tkurrjes së lirisë globale, me 71 vende të cilat sipas raportit, “vuajnë rënien e të drejtave politike dhe lirive civile.”

Tërheqja e Shteteve të Bashkuara si kampion dhe shembull i demokracisë vjen si pasojë edhe e provave për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet e 2016 apo shkeljet e standardeve bazike të etikës nga administrata e Presidentit Donald Trump.

Nga kjo situatë kanë përfituar “regjimet autokrate” në Rusi dhe Kinë, të cilat po veprojnë përtej kufinjve për të asgjesuar debatin e hapur, për të ndjekur disidentët e për të kompromentuar institucione të bazuara në rregulla.

Sa i përket Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor, raporti i Freedom House vlerëson se rajoni ka nevojë për angazhim të vazhdueshëm të demokracive madhore. Vendi ynë nuk shfaq asnjë ndryshim, teksa vijon të renditet mes shteteve gjysmë të lira.

Në rajon, Maqedonia vlerësohet se ka shënuar progres pozitiv falë edhe ndikimit ndërkombëtar. Ndërkohë Serbia, ku liderët europianë janë treguar tolerantë shënon hapa prapa sa i përket lirisë së medias dhe forcës së opozitës.

Vetë Europa, sipas këtij raporti, ka refuzuar vlerat demokratike, ndërkohë që mbështetja për populistët e krahut të djathtë i ka çuar ata edhe në parlamentet europiane.

EMISIONET