Të mërkurën Kuvendi i Kosovës pritet të heqë, të cilësuarin kusht i fundit për procesin e liberalizimit të vizave me vendet e bashkimit Europian, duke miratuar demarkacionin me Malin e Zi.

Kabineti i Kryeministrit të Kosovës është i bindur për këtë hap të rëndësishëm, që i jep fund debateve dhe mosmarrveshjeve të brendshme, dhe kërkesës së vazhdueshme të komunitetit ndërkombëtar

Sigurinë në zyrën e Ramush Haradinajt e jep Jahja Lluka, Shefi i Kabinetit te Kryeministrit te Kosovës, në një interviste për Ora News nga Shkodra.

Jahja Lluka: "Me siguri demarkacioni do të aprovohet por gjithsesi me shtojcën e Komisionit të Bullicit për  arsye se pa shtojcën e komisionit të Bullicit edhe marrëveshja e fundit e dy presidentëve nuk do të ketë ndonjë vlerë për arsye se me marrëveshje do të thotë që do të ridefinohet kufiri. Pra do të ketë përmirësime pas ratifikimit.           

Marrëveshja e re, që sipas zyrtarëve kosovarë, korrigjon gabimet e paktit të mëparshëm, u arrit pak javë më parë mes Presidentit te Kosoves , Hashim Thaçi dhe homologut Malazez, Filip Vujanoviç, dhe politika në Prishtinë ka arritur dakordësinë për ta miratuar

 Jahja Lluka: Marrëveshja e presidentit Thaci me atë malazez është rishikimi i gabimeve të bëra në komisionin e parë.

Ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit mes Kosovës e Malit të Zi do ti hapte rrugë proceseve të rëndësishme për Prishtinën në rrugën e proceseve eurointegruese

/Ora News.tv/