Dekreti për Lojërat e Fatit, Presidenca: Nuk u ftuam në Komisionin e Ekonomisë
Presidenti i Republikës nuk ka pasur asnjë ftesë për të marrë pjesë në diskutimin e dekretit për rishikimin e lojërave të fatit.
Kështu ka deklaruar zëdhënësi i Presidentit të Republikës, z.Tedi Blushi i pyetur nga Ora News për arsyen e mosparaqitjes së institucionit të Presidentit në seancën e sotme të zhvilluar në Komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave. Blushi shton se "institucioni i Presidentit nuk i lëviz asnjë presje qëndrimit për këtë çështje, të bërë edhe publik".
Presidenti kërkonte rishqyrtimin e nenit 6 të ligjit që lehtëson barrën fiskale të bizneseve që ushtrojnë aktivitetin e tyre në fushat e lojërave të fatit. Në seancën e sotme nuk ka qenë i pranishëm asnjë përfaqësues i Presidencës.
I pranishëm në mbledhjen e komisionit ishte edhe ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, i cili u shpreh se nuk ka ndryshim në ligjin e lojërave të fatit, përveçse do të taksohen me 15%.
“Qëndrimi i mazhorancës është i prerë përsa i përket lojërave të fatit. Ne unifikuam standardin, për të sqaruar gjithologët, mënyra se si definohet baza e taksimit në këto lojëra fatit ka pasur një përjashtim Lotaria Kombëtare që taksohej ndryshe, të gjitha kompanitë e tjera taksoheshin me 15% dhe ajo 10%. E vërteta është se z. Nano e ka lënë taksën mbi lojërat e fatit 20%, ndërsa z. Berisha e bëri 10%. Në 2013 mbidheshin 3.7 miliardë lekë, 37 miliona dollar nga lojërat e fatit, sot mblidhen 54 milion dollarë dhe janë më pak kompani, dhe mblidhen 45% më shumë. Pra, 18 milionë dollarë më shumë” sqaroi ministri z. Ahmetaj
Kryetari i këtij komisioni z. Erjon Braçe tha se pretendimet e kreut të Shtetit se është ulur norma e tatimit mbi lojërat e fatit është i pavërtetë.
Në përfundim, anëtarët e komisionit e rrëzuan Dekretin e Presidentit të Republikës.