Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka deklaruar se  brenda 6 viteve të ardhshme ai ka planifikuar që të përgjysmojë varfërinë. Deklarata e tij u bë në Moskë 17 ditë përpara zgjedhjeve presidenciale dhe në kuadër të paraqitjes së politikave të tij kryesore për mandatin e katërt presidencial.

"Çdo person ka rëndësi për ne", tha ai, duke shtuar se donte të rriste punësimin dhe jetëgjatësinë.

Në fjalimin e tij në një seancë të përbashkët të të dyja dhomave të parlamentit të enjten, ai tha se donte që Rusia të imitonte normat e jetëgjatësisë të Japonisë dhe Francës.

"Rusia tani është një vend kryesor me potencial të fuqishëm të ekonomisë dhe të mbrojtjes së jashtme, por nga këndvështrimi i detyrës jashtëzakonisht të rëndësishme për të siguruar cilësinë e jetës dhe mirëqenies së njerëzve, ne natyrisht nuk kemi arritur nivelin që kërkojmë. Duhet ta bëjmë këtë dhe do ta bëjbë këtë", shtoi ai.

"Në vitin 2000, 42 milion persona  në Rusi jetonin nën kufirin e varfërisë,- tha ai- sot kjo shifër është në 20 milionë, por kjo ka nevojë që të ulet akoma më shumë"

Putin përballet me shtatë sfiduesit më 18 mars, ndonëse asnjë prej tyre nuk pritet të tërheqë mbështetje të gjerë. Në këtë garë nuk u lejua të marrë pjesë kreu i opozitës Alexei Navalny, i cili u ka bërë thirrje votuesve të bojkotojnë zgjedhjet.

/Ora News.tv/