Debati për ndryshimet në Kodin Penal, Murrizi: Nuk ndalohen protestat në rrugë

Debati për ndryshimet në Kodin Penal, Murrizi: Nuk ndalohen protestat

Ndryshimet në kodin penal me rritjen e dënimit për bllokimin e rrugës dhe goditjen ndaj policëve dhe zyrtarëve shtetërorë, shkaktuan debate në komisionin e sigurie. Drafti u miratua në parim me 8 vota pro dhe 2 kundër, ndërsa deputetët e rinj të opozitës akuzuan se ndryshimet kanë për synim të pengojnë protestat kundër qeverisë. Myslim Murrizi kërkoi që ndryshimet të hyjnë në fuqi pas zgjedhjeve ndërsa Ulsi Manja pohoi se votimet do të mbahen më 30 qershor.

Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi në parim me 8 vota pro dhe 2 kundër, ndryshimet në kodin penal që parashikojnë ashpërsimin e dënimeve edhe për bllokimin e rrugëve apo goditjet për shkak të detyrës.

Ndryshimet e propozuara me vullnet nga një grup deputetësh të mazhorancës vijnë në një kohë kur opozita ka zhvilluar një seri protestash ndaj qeverisë duke bllokuar akset rrugore dhe duke shënuar përplasje fizike me efektivat e policisë.

Deputetët e rinj të opozitës votuan kundër ndryshimeve në kodin penal duke kërkuar që ato të hyjnë në fuqi pas zgjedhjeve, dhe jo më herët siç kërkohet nga mazhoranca.

Lefter Maliqi: Në parim jam dakord, të ishin bërë më kohë i shërbejnë vendit, i shërbejnë punonjësve të shtetit, por për momentin unë e quaj të nxituar.

Ulsi Manja: Nëse do të arrihet dhe të miratohet dhe të hyjë në fuqi para zgjedhjeve të 30 qershorit, pse jo do të  ishin një garanci shtesë.

Kreu i komisionit të ligjeve, Ulsi Manja u shpreh se këto ndryshime janë rastësore dhe nuk kanë lidhje me zgjedhjet, ndërsa siguroi mbajtjen e tyre 30 qershor.

Ulsi Manja: Nuk ka lidhje me zgjedhjet e 30 qershorit. Zgjedhjet në 30 qershor na detyron kushtetuta. Nuk do të ketë asnjë përplasje dhe asnjë konflikt.

Myslym Murrizi: Po keni kurajo thoni drejt që do të ndalojmë protestat në rrugë. Protestat unë nuk besoj që do të mund ti ndaloni 29 vjet pas rrëzimit të komunizmit.   

Ndryshimet në kodin penal u propozuan nga 12 deputetë të Partisë Socialiste, dhe veç rritjes së dënimit për bllokimin e rrugëve, goditjet ndaj policisë apo funksionarëve shtetërorë, prekin edhe krimet e mjedisit dhe një serë nenesh të tjera. 

EMISIONET