Danaj: Kemi nevojë për rrugë të reja, por jo të shfrytëzojmë në mënyrë barbare pasuritë

Danaj: Kemi nevojë për rrugë të reja, por jo të

Eksperti i ekonomisë Vjoldi Danaj i ftuar në studion e lajmeve në RTV Ora komentoi koncesionet e miratuara nga qeveria në seancën e fundit parlamentare për dy akset, Milot-Balldren me një vlerë 296 milion euro dhe Orikum-Llogara me vlerë 70 milion euro.

I pyetur nëse vlera me të cilën do të ndërtohen këto akse është tepër e lartë, Danaj u përgjigj se ne nuk mund të ndërtojmë rrugë kilometrat e së cilës nuk e justifikojnë vlerën.  

Danaj: Sigurisht që është më shumë se e lartë. Nuk mund ne të ndërtojmë rrugë që ndoshta kilometrat nuk e justifikojnë të gjithë këtë vlerë. Është e vërtetë që ne kemi nevojë për rrugë të reja. Kemi nevojë që të shkurtojmë distancat dhe kohën lidhëse me një qytet dhe një tjetër. Por kjo nuk do të thotë që ne duhet të mbyllim sytë dhe të shfrytëzojmë në mënyrë maksimale dhe deri diku në mënyrë barbare të gjithë këtë pasuri që kemi.

Më tej eksperti tha se kostoja e këtyre rrugëve do të jetrë sërish e qytetarëve dhe do rëndojë në kurriz të tyre.

Danaj: Nuk mund të rëndojmë edhe më shumë qytetarët, sepse këto rrugë që po bëhen kostoja e tyre do të shkojë në kurriz të qytetarëve. Në momentin që do të përfundojnë rrugët do të vendoset edhe një tra që do ta marri atë taksën e përdorimit. Marrim shembullin e rrugës Orikum-Dukat, që do të jetë diku tek 17 kilometra ka pikun e përdorimit vetëm 3 muaj në verë. Pjesa tjetër është pothuajse e pa përdorueshme. Por kjo nuk do të thotë që edhe pse nuk do të përdoret nuk do të paguhet. Nuk do paguhet nga ata persona që nuk do ta përdorin, por ama shteti do të jetë i detyruar ta derdhi atë shumë që është bërë paraprakisht marrëveshja me koncesionarin.

Ndër të tjera Danaj, theksoi se këto marrëveshje nuk janë bërë në të mirë të vendit dhe se studimi për to duhet të ishte më i  thelluar.

Danaj: Këto janë marrëveshje që nuk janë bërë në të mirë të vendit, ndoshta  nuk dua të mendoj që do ishin bërë me tendencë korruptive sepse do ishte shumë e rëndë.  Por ndoshta studimi duhet të ishte më i thelluar, sepse pesha është sërish e popullit, e jona.

EMISIONET