Tabloidi britanik Daily Mail i ka kushtuar një artikull të gjatë të rinjve të pashoqëruar që emigrojnë ilegalisht nga Shqipëria drejt Britanisë së Madhe. Përmes fotografive dhe historive reale, tabloidi analizon emigracionin nga fshati i Krumës, teksa konkludon se Britania mbetet tërheqëse për shqiptarët falë qasjes më të butë të vendit ndaj emigrantëve.

E përditshmja britanike Daily Mail i ka kushtuar një shkrim të rinjve shqiptarë që zgjedhin të shkojnë drejt Britanisë së Madhe për një jetë më të mirë e që këtë përpjekje të tyre e dokumentojnë edhe në rrjetet sociale. Tabloidi britanik grumbulloi dhjetëra fotografi të marra nga faqet në Facebook të këtyre të rinjve, për të ilustruar grafikisht shtrirjen e emigracionit të paligjshëm shqiptar në Britani.

Shumica e këtyre të rinjve vijnë nga fshati i Krumës, aty ku çdo familje mendohet të ketë të paktën një anëtar në Britani, teksa fshati ironikisht konsiderohet si një lagje e pazakontë londineze. Janë vetë këto familje që haptazi pranojnë se i dërgojnë fëmijët e tyre fshehurazi në Britani, ku shumë përfundojnë në kujdestari sociale ose në mëshirën e kriminelëve, sipas një hetimi të Daily Mail.

Daily Mail thekson se vetë qeveria shqiptare e veçon Britaninë për qasjen relativisht të butë që ndjek me emigrantët, duke kërkuar që autoritetet britanike t’i kthejnë këta persona sa më shpejt në vendet e tyre. Tabloidi citon zv/ministren e punëve të brendshme Rovena Voda e cila kërkon që Britania të veprojë si Franca apo Gjermania dhe menjëherë të kthejë ata fëmijë të pashoqëruar të cilëve u mohohet kërkesa për azil. Dështimi për ta bërë këtë, sipas Vodës e bën Britaninë e Madhe një destinacion për tërheqës për adoleshentët që braktisin Shqipërinë. Voda madje sugjeron që Britania të mos shpenzojë më para në sigurimin e përkujdesit social për të rinjtë, por t’i investojë këto para që të rinjtë të mos largohen nga vendi.

/Ora News.tv/