EKSKLUZIVE/ Dade flet “pa dorashka”: Maxhoranca të heqë Ramën, opozita hyri në luftë e papërgatitur

EKSKLUZIVE/ Dade flet “pa dorashka”: Maxhoranca të heqë

Ish deputetja socialiste, Arta Dade një ndër figurat më të njohura të kësaj partie,  inkurajon deputetët e grupit të maxhorancës të bëjnë një lëvizje për të zgjidhur krizën politike. 

Zgjidhjen e ka në dorë maxhoranca e cila duhet të largojë Ramën si kryeministër dhe të zgjedhë një kryeministër tjetër, tha Dade, në një intervistë për emisionin "Tempora" transmetuar mbrëmjen e 16 prillit 2019.

E sheh të largët zgjidhjen e krizës politike ndërsa në vend është cënuar siguria në mënyrë serioze, dhe pushteti ekzekutiv është kapur nga korrupsioni. Megjithatë eshtë e bindur se zgjidhja është vetëm tryeza e dialogut por aty nuk duhet të ulen ata që e kanë krijuar këtë krizë.

Ish ministrja e Jashtme është e bindur gjithashtu se nuk janë protestat e opozitës që pengojnë integrimin por nënvizon dhe se opozita ka hyrë në luftë e papërgatitur  e pareformuar dhe me një lider që ka mjaft probleme të mbartura në personalitetin e tij, për të cilat më së pari ai vetë duhet të ishte i interesuar që t'i kishte pastruar. 

Intervista u mor nga gazetarja Marjana Legisi.

Pyetja: A është kapur shteti dhe nëse po nga kush?

Arta Dade: Nuk mendoj që kemi një kapje të shtetit në kuptimin klasik të fjalës, por është shqetësuese që ka segmente shumë të rëndësishme të shtetit që nuk po funksionojnë. Pra kam parasysh pushtetin gjyqësor, por mbi të gjitha Gjykata Kushtetuese që ka kohë që nuk funksionin. Kam parasysh edhe Parlamentin, i cili nuk punon në kapacitetin dhe në formatin e tij të zakontë me aktin e djegies së mandateve nga ana e opozitës që është një gjë e paprecedentë, që në fakt dëmton shumë rëndë funksionimin e parlamentit, dëmton shumë rëndë demokracinë dhe dëmton shumë rëndë vetë opozitën. 

Kemi një sërë institucionesh që nuk po funksionojnë, është cënuar siguria në mënyrë serioze, në vend dhe unë besoj se segmente shumë të rëndësishme të shtetit, si ekzekutivi janë kapur nga korrupsioni. Kemi një rezultat të munguar në luftën kunër krimit të organizuar. Në këtë kuptim kemi një funksionim normal të shtetit. 

Opozita hyri ne lufte e papergatitur

Pyetja: Kush janë përgjegjësit?

Arta Dade: Është shumë vështirë të tregosh me gisht një aktor. Ka shumë aktorë,  që janë përgjegjës, por mbi të gjitha përgjegjës janë ata që e quajnë veten lider të forcave kryesore politike. 

Mazhoranca nga ana e saj duhet të nxjerrë përgjegjegjësitë e veta dhe të jetë në përgjegjëshmërinë që kërkojnë vetë sfidat që ka Shqipëria përpara, por nga ana tjetër opozita ka hyrë në një luftë politike e papërgatitur, e pareformuar dhe me një lider që ka mjaft probleme të mbartura në personalitetin e tij, për të cilat më së pari ai vetë duhet të ishte i interesuar që t'i kishte pastruar. 

Shikoj me shqetësim gjithashtu që Sali Berisha, - i cili është përgjegjës për dëme madje për disa prej tyre të pariparueshme në Shqipëri, - drejton mesa duket opozitën në Shqipëri dhe është vazhdimisht në krah të Lulzim Bashës"

Rama duhet te largohet, maxhoranca te zgjedhe kryeminister tjeter 

Pyetja: Zjidhja e krizës politike duket e largët...

Arta Dade: Patjetër që zgjidhjen e krizës politike nuk e shikoj të afërt, për arsyen kryesore se mungon vullneti politik. E kam artikuluar dhe herë tjetër është maxhoranca së pari e intersuar të zgjidhë krizën politike. Kemi një maxhorancë monopartiake, tashmë dhe nuk po qeveris. Një nga sugjerimet që kam muaj që po e them është se maxhoranca vetë duhet ta zgjidhi këtë problem duke kërkuar që kryeministri të largohet. Të vendoset një kryeministër tjetër që mund të jetë më i pranueshëm dhe që nuk mbart përgjegjësi kaq të mëdha mbi veten. 

Sepse dihet që kemi një mazhorancë që në intensitet të lartë frekuence është kapur në skandale, të cilat do të duhen kohë që të zgjidhen. Dhe në shoqëri demokratike, konflitet e krijuara mbase dhe në mënyrë të stisur zgjidhet vetëm përmes dialogut dhe kompromisit dhe për fat të keq ata që e kanë krijuar këtë situatë konfliktuale nuk mund të jenë ata aktorë për ta zgjidhur."

Protestat nuk e demtojne integrimin

Pyetje: A po e dëmton opozita procesin e integrimit?

Arta Dade: Nuk besoj që protestat e opozitës dëmtojnë, apo janë arsye që Shqipëria të mos marri "OK" për hapjen e negociatave. Mendoj se arsyeja kryesore e gjithëkahershme ka qenë konfliktualiteti politik dhe për këtë janë përgjegjës të dy kahët politik.

Ne Shqiperi mungojne lideret

Pyetje: Nëse ju do të ishit një lidere e Shqipërisë, cila do të ishte zgjidhja që do i ofronit qoftë institucionale dhe politike

Arta Dade: Në konceptin tim e kam konsideruar veten time lidere. Sipas konceptit tim në Shqipëri mungojnë liderët. Kemi të bëjmë vetëm me drejtues të partive politike. Dikur PS mendonte se mund të sakrifikonte pushtetin për të bërë shtetin, ndërsa tani forcat politike kërkojnë të sakrifikojnë shtetin për të mbajtur me thonj pushtetin, ose për të ardhur me rrugë edhe të gabuara drejt pushtetit. 

Besoj se për sa kohë mungon vullneti politik dhe këtu dua të inkurajoj kolegët e mi që ndodhen në grupin e mazhorancës, duhet bërë një lëvizje, zërat nuk kanë munguar. Kujtoj Ditmir Bushatin që bëri thirrje për dialog. Ne duhet ta gjejmë forcën, që brenda Shqipërisë, të mendojmë për interesa madhore të vendit dhe të hapim urgjentisht dialogun. Cilët politikanë duhet të ulen në tryezë të dialogut nuk më takon mua ta them por ata që e kanë krijuar këtë krizë nuk mund ta zgjidhin.



EMISIONET