Negociatat dypalëshe që Kosova dhe Serbia nisën në mars të vitit 2011 në Bruksel parashikonin mes të tjerash njohjen e dyanshme të sovranitetit territorial të vendeve.

Por në fundjavë, kryediplomati serb Ivica Daçiç, përsëriti kërkesën për rivendikime tokësore ndaj fqinjit jugor, duke e cilësuar territorin hapësirë serbe.

Shkak u bë një deklaratë e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, i cili një ditë më parë sugjeroi që kufijtë e padrejtë me Shqipërinë të hiqen sa më parë, duke nisur me pikën kufitare të Morinës.

Daçiç tha për mediet vendëse se ideja ishte në vazhdën e provokimeve për të ashtuquajturën "Shqipëria e Madhe".

"Zona kufitare e Morinës është kufiri mes Serbisë dhe Shqipërisë. Serbia ndodhet brenda territorit të përcaktuar nga Kombet e Bashkuara. Nuk e di se si mendon Thaçi të ndryshojë diçka të pranuar nga OKB-ja dhe që Beogradi do ta ruajë si të tillë,"-tha Daçiç.

Deklaratat vijnë dy ditë pas samitit të Brdo-Brijunit të organizuar në Tiranë dhe atij të Berlinit rreth dy javë më parë, ku dialogu Kosovë-Serbi u trajtua gjerësisht edhe pse pa rezultate konkrete.

Presidentët e dy vendeve nuk hoqën dorë nga vijat e tyre të kuqe në të dyja takimet, ndërsa shpresohet të mbajnë bisedime më rezultative në samitin e posaçëm dypalësh që ndërmjetësohet në Francë në muajin korrik.

/Ora News.tv/