Daçiç: Do ta tërhiqja marrëveshjen e Brukselit për Asociacionin

Daçiç: Do ta tërhiqja marrëveshjen e Brukselit për

Ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiç tha në Beograd se Presidenti,  Aleksandar Vuçiç është “shumë tolerant” lidhur me zbatimin e  marrëveshjes për Asociacionin e Komunave Serbe

Daçiç thotë se për shkak të zvarritjes së formimit të Asociacionit, do ta tërhiqte nënshkrimin nga Marrëveshja e Brukselit.

“Unë e kam nënshkruar marrëveshjen e Brukselit dhe do ta tërhiqja nënshkrimin, për shkak të mos formimit të Asociacionit të Komunave Serbe dhe me këtë do të ktheheshim në gjendjen e vjetër, që do të thotë kthimin e institucioneve serbe të Serbisë”, ka thënë Daçiç, në një konferencë për shtyp, pas një takimi me ministrin e Punëve të Jashtme dhe bashkëpunim ndërkombëtar të Algjerisë, Abdelkader Mesael, raporton “B92”, përcjell Telegrafi.

Kreu i diplomacisë serbe, megjithatë, tha se Serbia do të bëjë përpjekjet maksimale për të arritur një zgjidhje kompromisi në lidhje me Kosovën.

“Në epokën e lajmeve të rreme më nuk dihet për çka është duke u negociuar dhe nëse ka afate”, ka thënë Daçiç, duke shtuar se nuk dëshiron të bëjë deklarata që mund t’i krijojnë telashe Vuçiçit, por ai mendon se presidenti është ‘shumë tolerant’ në lidhje me çështjen e Asociacionit të Komunave Serbe.

“Ata do ta kenë shumë vështirë me një Vuçiç të tillë, i cili është i zhgënjyer”, tha kreu i diplomacisë serbe.

I pyetur për paralajmërimin e fundit “të kinse planit gjerman për Kosovën”, Daçiç përsëriti se kjo është një “trillim i pastër”.

Me ndërmjetësimin e Përfaqësueses së lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, të premtën kanë vazhduar në Bruksel me raundin e ri të dialogut në nivelin më të lartë politik. 

EMISIONET