Vendimi i qeverisë së Kosovës për të mos zbatuar marrëveshjen për krijimin e bashkësisë së komunave serbe, është vendimi i Prishtinës për t’u larguar nga dialogu i ndërmjetësuar nga Brukseli. Ka qenë ky qëndrimi i ministrit të jashtëm serb Ivica Daçiç, shprehur për agjensinë e lajmeve Sputnik. Kreu i diplomacisë serbe paralajmëroi se për këtë shkak, i gjithë dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës mund të kthehet në pikën zero.

“Nëse një pjesë e rëndësishme e marrëveshjes për të cilën kemi rënë dakord me udhëheqësit shqiptarë, refuzohet të implementohet në mënyrë të paskrupullt dhe pa u dënuar, atëherë Beogradi mund të marrë në konsideratë shfuqizimin e të gjitha marrëveshjeve të mëparshme që kemi arritur në Bruksel,” deklaroi Daçiç.

Kreu i diplomacisë serbe e drejtoi vëmendjen edhe tek komuniteti ndërkombëtar, për shkak të mundësisë së dështimit të procesit disa-vjeçar të negociatave. “I kërkojmë Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të nxisin menjëherë Prishtinën të përmbushë detyrimet sipas Marrëveshjes së Brukselit. Ekziston një rrezik i madh që procesi i negociatave të ndërpritet dhe për këtë Beogradi nuk do të kishte asnjë përgjegjësi,” u shpreh Daçiç.


/Ora News.tv/