Në burgjet shqiptare niveli i sigurisë vijon të jetë i ulët. Këtë të premte në Lezhë janë gjendur tre telefona brenda një topi i cili është hedhur në mjedisin e ajrimit të të burgosurve. Ministria e Drejtësisë ka nisur hetimet për të identifikuar përgjegjësit, ndërsa pak ditë më parë Kryeministri Edi Rama njoftoi përforcimin e masave të sigurisë në institucionet e vuajtjes së dënimit.

"Në shërbimin e kontrollit të brendshëm të burgjeve do të ngrihet një sallë operative monitorimi non stop e të gjitha institucioneve peritenciare të Republikës së Shqipërisë".

Tri ditë më parë përmes kësaj deklarate kryeministri Edi Rama njoftoi përforcimin e sigurisë në burgje.

Por niveli i sigurisë vijon të mbetet i ulët, pasi këtë të premte në burgun e Lezhës punonjësit e shërbimit kanë konstatuar një top futbolli brenda së cilit janë gjetur tre aparate celularë së bashku me karikuesit përkatës.

Lajmi është publikuar nga Ministria e Drejtësisë e cila thotë se aparatetet telefonike janë sekuestruar ndërsa kanë nisur verifikimet e nevojshme.

"Gjatë orës së ajrimit të të burgosurve është hedhur nga jashtë një top futbolli i fryrë. Topi është konstatuar nga punonjësit e shërbimit të cilët e kanë bllokuar menjëherë. Janë bërë verifikimet e nevojshme dhe janë kontrolluar kamerat e sigurisë. Brenda topit janë gjetur tre celularë, dy Iphone dhe një Samsung, bashkë me karikuesit dhe dy karta celulari të pahapura" informoi ministria e Drejtësisë.

Po ashtu janë kontrolluar edhe kamerat e sigurisë për të hedhur më shumë dritë mbi përgjegjësit.

Ky nuk është rasti i parë  kur në burgjet shqiptare futet sende që nuk lejohen në ambientet e tyre.

Vetëm pak ditë më parë, dy vëllezër u arrestuan pasi tentuan të fusnin cannabis sativa në burgun e Kosovës në Lushnje.

Lënda narkotike e destinuar për të dënuarin me burgim të përjetshëm, Lulzim Caka, u gjet e fshehur brenda një sasie mishi.






/Ora News.tv/