Çmimi i naftës rritet me 50-60 lekë

Çmimi i naftës rritet me 50-60 lekë

Rritja e çmimit të karburanteve ka sjellë revoltën e drejtuesve të automjeteve. Të pyetur nga Ora News ata shprehen se në krahasim me pagat, kosto për arin e zi është shumë e lartë. Nga ana tjetër çmimi pritet të vazhdojë trendin rritës, për shkak të bursës në botë, por dhe të dhënies me koncension të monitorimit të pompave të karburantit.

Rritet çmimi i naftës në vend. Në pikat tregtimit të karburanteve në kryeqytet konstatohet një shtrenjtim i arit të zi me 50 deri në 60 lekë të vjetra për litër.

Operatorët e justifikojnë këtë ndryshim me rritjen e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare ku një fuçi naftë po tregtohet me rreth 85 dollarë dhe me tendencë në rritje.

Drejtuesit e automjeteve shprehen se kostoja e qarkullimit po bëhet e papërballueshme, duke e krahasuar me pagat e ulëta.

Qytetari: Si nuk rëndon, këtu është kastrofë për çdo gjë, jo vetëm për çmimin e naftës. Shteti ka marrë fund. Duhet me u zhduk nga ky vend një sekondë e më parë, këtu asgjë nuk funksionon. Sot e furnizova makinën, ishte rrit me 50 lekë.

Qytetari: Shumë shtrenjtë krahasuar me vendet e tjera të Europës dhe rrogat që janë këtu në Shqipëri, çmimi i naftës shumë i lartë. 1800 lekë litri më duket shumë. Me 10 euro jashtë vendit mund të mbushësh 10 litra, çmimi është një më një.Në Shqipëri nuk e di çfarë të them.

Taksisti: Ça të them unë? 60% të xhiros e ha karburanti.

Taksisti: Nafta për ne që jemi në trafik gjithë ditën duhet të ulet.

Rritja e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare parashikohet të arrijë në 100 dollarë për fuçi e nxitur, kjo edhe nga sanksionet e SHBA-së ndaj Iranit i cili është një ndër prodhuesit më të mëdhenj në botë.

Operatorë shqiptarë të karburanteve shprehen se edhe në Shqipëri do të vijojë kjo tendencë, ndërsa pritet ti shtohet edhe një tjetër kosto.

Shkak do të jetë koncesioni për pompat e karburantit.

Tregu i karburanteve zë mbi 10% të PPB/Prodhimit të Përgjithshem Bruto të ekonomisë së Shqipërisë me vlerë absolute mbi 1 miliard euro/vit dhe me ndikim të fuqishëm në gjithë sektorët e tjerë të ekonomisë.

EMISIONET