Arabia Saudite njoftoi se do të hapë oferta për kompanitë e huaja inxhinierike në mënyrë që të gërmojë një kanal të madh që do ta ndajë atë nga Katari dhe në thelb kjo do të thotë se shteti fqinj do të bëhet një ishull.

Pesë kompani kanë shprehur dëshirën për të marrë pjesë në tender, i cili do të mbahet më 25 qershor, shkruan gazeta saudite "Meke" e cituar nga RT.

Fituesi i ofertave, i cili do të shpallet brenda tre muajsh, do të fillojë menjëherë ndërtimin e kanalit, shkroi gazeta.

Rijadi planifikon që kanali i ashtuquajtur Salwa të gërmohet brenda një viti, në mënyrë që të krijojë një barrierë ujore mes vetes dhe Katarit, pasi marrëdhëniet mes dy kombeve vazhdojnë të përkeqësohen.

Sipas burimeve, rruga e re ujore përgjatë kufirit të Katarit në Arabinë Saudite lindore do të jetë 60 kilometra në gjatësi dhe 200 metra e gjerë. Kostoja e vlerësuar e projektit është 2.8 miliardë rijetë (rreth 746 milionë dollarë).

Mediat saudite njoftuan më parë se kanali do të ndërtohet në një distancë prej një deri në pesë kilometra nga kufiri i vendit me Katarin, ku toka e mbetur do t'u caktohet për nevoja të rojeve kufitare dhe për ushtrinë. 

Kanali 15 deri 20 metra i thellë gjithashtu pritet të ketë tre porte detare, me linja të mëdha lundrimi.

Një vit më parë, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Egjipti akuzuan Katarin për "përkrahje të terrorizmit", duke ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me të.


/Ora News.tv/